Kontrolle pranë shkollave në Gjirokastër, siguria ushqimore në vëmendjen e institucioneve përgjegjës

Aktualitet | 11 muaj më parë

Sektori i Veterinarisë pranë Bashkisë Gjirokastër ka intensifikuar kontrollet për produktet ushqimore që tregtohen në ambientet përreth shkollave. Inspektimet janë fokusuar në dyqanet dhe kioskat pranë institucioneve arsimore, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore për nxënësit.

Kontrollet kanë përfshirë verifikimin e kushteve të ruajtjes së produkteve, datat e skadencës, etiketimin, si dhe dokumentacionin përkatës të tregtimit. Për çdo shkelje të konstatuar janë marrë masat administrative të parashikuara në ligj.

“Kemi dalë disa herë për tregtarët ambulantë që tregojnë produktet e tyre në shkolla. Kemi konstatuar që shiten disa produkte të lëngshme që mund të rrezikojnë shëndetin e fëmijëve. I kemi këshilluar mos t’i tregtojnë më. Kemi bërë sërish kontrolle dhe nuk janë tregtuar më,” tha Adelina Haxhiaj, përgjegjëse e sektorit të veterinarisë.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, vëmendje po u kushtohet produkteve që konsumohen më shpesh nga fëmijët, si ëmbëlsirat, pijet freskuese dhe ushqimet e shpejta, të cilat duhet të plotësojnë standardet e sigurisë dhe cilësisë.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë periodike gjatë gjithë vitit shkollor, me synimin për të garantuar një mjedis sa më të sigurt ushqimor për fëmijët.

Gazetare: E. Domeri 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme