Kontrollet në agjencitë imobiliare – NAREA, operatorët informal nuk përfaqësojnë gjithë sektorin
Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, ka reaguar në lidhje me kontrollet e ushtruara nga Administrata Tatimore në disa agjenci imobiliare. NAREA shprehet e shqetësuar për atmosferën e krijuar nga kontrollet e ushtruara së fundmi, veçanërisht nga mënyra e ushtrimit të tyre si dhe të mediatizimit me informacione sipas tyre të pavërteta.
Shoqata thotë se hyrja e aktorëve të pa licencuar dhe informal në treg, të cilët dëmtojnë nëpërmjet konkurrencës së padrejtë, nuk mund të përfaqësojë të gjithë sektorin.
NAREA bën thirrje për komunikimin institucional, qartësinë e Planit Operacional dhe Sektorial, si dhe të Objektit të Punës, duke parashtruar drejtë dhe në kohë kërkesat që priten të përmbushen nga ana e Ndërmjetësit të Pasurive të Paluajtshme gjatë çdo kontrolli nga Administrata Tatimore.
Pak ditë më parë tatimet kanë kryer kontrolle në disa agjenci imobiliare ku kanë evidentuar sipas tyre punonjës të padeklaruar, paga jo reale, mungesë faturimi dhe evazion tatimor në shitjen e apartamenteve.
Gazetar: H. Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




