Korçë – Arrestohet i shumëkërkuari, 43-vjeçari Ramadan Zoto akuzohet për plagosje të dyfishtë
Arrestohet në qendër të Korçës, Ramadan Zoto, i cili ka qenë në kërkim ndërkombëtar për disa akuza, ndërsa 43-vjeçari dyshohet se para një muaji ka plagosur dy persona në Sarandë.
Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se Ramadan Canaj, alias Ramadan Zoto, ka qenë në vëzhgim prej nisjes së sotme nga kryeqyteti. Ai dyshohet se po kërkonte të kalonte kufirin drejt Greqisë.
Ngjarja e ndodhur në 17 korrik në qytetin bregdetar të Sarandës solli dy të plagosur, ndërsa uniformat blu më parë kishin arrestuar vëllain e tij.
Të njëjtat burime shtojnë se janë shoqëruar edhe persona të tjerë, të cilët ndodheshin në automjetin e Zotos.
Plagosja me armë zjarri në Sarandë, dy persona drejt Traumës
Ngjarja e rëndë e 17 korrikut tronditi qytetin e Sarandës, ku dy persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Krimi ndodhi në lagjen nr. 4, pranë stadiumit të qytetit.

Të plagosurit u identifikuan si Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç, dhe Ernest Lama, 24 vjeç. Pas ndihmës së parë mjekësore të marrë në spitalin e Sarandës, u transferuan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar, për shkak të plagëve të marra.
Tri ditë pas ngjarjes, u arrestua Artan Murtaj, 43 vjeç, pasi ishte shpallur në kërkim si një nga personat pjesëmarrës në plagosje. Përveç tij, në kërkim janë edhe dhe Erjon Canaj, 36 vjeç dhe Klaus Jaçaj, 31 vjeç.
Dy personat e plagosur rezultuan se ishin nga Kamza dhe se gjithçka ndodhi për një sipërfaqe toke, të cilën ata e posedonin ngjitur me pronën e dy vëllezërve Canaj, e cila, sipas tyre, u kishte zënë një pjesë toke. Takimi për t’u sqaruar doli jashtë kontrollit dhe u përdorën armët e zjarrit.
Gazetare: Eftjola Fili, Flutura Tota, a.m.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




