Kosova përkujton Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve

Kosovë | 1 vit më parë

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur (30 gusht), Kosova përkujton mbi 1600 qytetarë që ende figurojnë si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Në nderim të kësaj dite, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH) do të inaugurojë memorialin “Pema e jetëve”, në platonë në Sheshit Xhorxh Bush në Prishtinë. Ndërkohë, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS) organizon një aksion simbolik, ku do të lexohen emrat e personave të zhdukur gjatë luftës.

Dje, krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kryeparlamentari Dimal Basha kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.

Osmani u shpreh se Serbia po kryen krim kundër njerëzimit dhe çdo ditë shkel Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Përtej krimeve që janë kryer në vitin 1998-1999 nga ana e Serbisë, zhdukja me dhunë e personave, të dashurve të shumë familjeve këtu në Kosovë, është krim që Serbia e kryen çdo ditë duke i mbajtur ata në varreza masive, duke mos respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel për ta zbardhur fatin e këtyre të zhdukurve me dhunë”, deklaroi ajo.

Kryeministri Albin Kurti, theksoi se institucionet shtetërore po punojnë me përkushtim për gjetjen e të zhdukurve.

“Vetëm gjatë vitit të fundit kemi gjurmuar mbi 23 lokacione të ndryshme, ndërsa këtë vit kemi realizuar 18 aktivitete kërkimore për zbulimin e mbetjeve mortore të më të dashurve tanë”, tha Kurti.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi zbardhjen sa më të shpejtë të fatit të personave të pagjetur.

“Ky është një obligim moral dhe ndërkombëtar që Serbia të tregojë sa më parë vendndodhjen e masakrave dhe të personave të zhdukur”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme