Kosova U19 triumfon ndaj Turqisë

Përfaqësuesja e Kosovës U19 ka dhënë një sinjal të fortë para ndeshjes historike të së martës mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku zhvillohet finalja e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, Kosovë –Turqi.
Në përballjen e zhvilluar të hënën pasdite në Manavgat, Dardanët e rinj triumfuan 3:1 ndaj Turqisë, në kuadër të Grupit B1 të raundit të parë kualifikues për Euro 2027.
Kapiteni Rin Ahmeti hapi rezultatin në minutën e 8-të me një penallti, ndërsa Lorik Mehmeti shënoi golin e dytë në minutën e 20-të. Turqia ngushtoi epërsinë në minutën e 51-të, por fitoren e Kosovës e vulosi Leonit Gabrica në minutën e 89-të.
Me këtë fitore, Kosova U19, e drejtuar nga Albert Bunjaku, ka siguruar vendin e parë në grup me shtatë pikë dhe kualifikimin në Ligën A të raundit të dytë kualifikues. Armenia përfundoi e dyta me pesë pikë, Turqia e treta me katër, ndërsa Gjibraltari mbeti pa pikë.
Përzgjedhësi Albert Bunjaku pas këtij suksesi u shpreh shumë i lumtur dhe uroj që edhe përfaqësuesja A nesër të arrijë suksesin historik: “Ne e fituam finalen e vogël. Uroj që nesërmbrëma Kosova ta fitojë edhe finalen e madhe ndaj Turqisë. Për mua si trajner ka qenë qëllim të formoj një ekip sa më kompakt të kësaj gjenerate. Ka qenë një harmoni shumë e mirë mes futbollistëve. Jam krenar me secilin prej djemve për atë çfarë kanë treguar. Thjeshtë e kanë dhënë maksimumin. Asnjëri nuk ka luajtur për veten, por secili ka luftuar për njëri-tjetrin, dhe ky është çelësi i fitores së sotme kundër Turqisë. Edhe kundër Armenisë kemi luajtur më mirë se kundërshtari dhe është dashur të marrim tri pikët, por gjithsesi jam shumë i kënaqur me atë çfarë kemi arritur; është 100% sukses i merituar. Ekipi e ka realizuar planin e lojës në përpikëri. Shpresoj se në të ardhmen do të jemi edhe më mirë, pasi kemi më shumë kohë të punojmë së bashku”, tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




