Kryeministri i ri i Francës, Sebastien Lecornu, premton se do të jetë “kreativ dhe serioz” me opozitën

Botë | 1 vit më parë

Sebastien Lecornu do të jetë kryeministri i ri i Francës, i pesti brenda dy viteve luftë politike për buxhetin e shtetit.

Kryeministri 39-vjeçar e mori të mërkurën detyrën nga paraardhësi François Bayrou, i cili i paraqiti dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron kur Parlamenti e rrëzoi duke mos e votëbesuar qeverinë e tij.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Lecornu, gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës tha se do të tregohej “më kreativ, ndonjëherë edhe më teknik, më serioz” kur të punojë me opozitën.

“Ka një boshllëk mes jetës reale dhe situatës politike. Por qeveria do t’ia dalë. Asgjë nuk është e pamundur,” tha kryeministri i ri në një njoftim të shkurtër.

Sfida më e madhe e ekzekutivit të ri mbetet kalimi i buxhetit në Parlamentin e ndarë mes tre blloqeve ideologjike. Ndërkohë që partitë bien dakord se deficiti i vendit duhet ulur nga niveli 5,8 për qind i PBB-së në 2024-ën, ka mosdakordësi rreth mënyrës se si mund të arrihet deri aty. Propozimi për ta tkurrur buxhetin me mbi 40 miliardë euro çoi në largimin e ish-kryeministrit Bayrou.

Lecornu do të duhet të dorëzojë një draft të buxhetit të shtetit brenda dy javëve të para të tetorit, përndryshe Parlamentit mund të mos i mbetet kohë për ta votuar.

E majta e ashpër ka thënë se do të provojë sërish ta rrëzojë edhe kryeministrin Lecornu përmes një mocioni mosbesimi të menjëhershëm. Ndërkohë që e djathta ekstreme ka sinjalizuar se mund të punojë me kryeministrin për buxhetin për aq kohë sa plotësohet kërkesat e tyre.

Ndërsa në Kryeministri zhvillohej ceremonia e dorëzimit të detyrës, në rrugët e Parisit të mërkurën mbizotëroi kaosi dhe ndonjëherë dhuna.

Në vend u mbajtën protestat e ashtuquajtura “Bllokoni Gjithçka”, si mënyrë për të shprehur pakënaqësinë me lidershipin e presidentit Macron, me shkurtimin e buxhetit vjetor dhe me klasën politike në tërësi. Gati 300 veta u arrestuan gjatë ditës në të gjithë vendin, por më shuma se gjysma brenda rajonit të Parisit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme