Kryeministri Kurti: Vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare

Kosovë | 1 vit më parë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka njoftuar se qeveria e propozuar prej tij nuk mund të nisë mandatin e re, pas dështimit për të marrë votat e nevojshme në Kuvend. Si pasojë, LVV do të vazhdojë si qeveri në detyrë “drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”.

Gjatë seancës së votimit, kabineti i propozuar i Qeverisë “Kurti 3” mori 56 vota pro, kundër 52 votave kundër dhe 4 abstenimeve, duke mbetur kështu nën pragun e nevojshëm për t’u formuar.

Kryetari Kurti falënderoi deputetët mbështetës dhe qytetarët për përkrahjen, por konfirmoi se rezultati i votimit pengon fillimin e mandatit të ri.

“Falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin PËR, 52 KUNDËR dhe 4 ABSTENIME, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.

Opozita e bashkuar kundër mandatit të ri

Dështimi i votimit ishte i pritshëm, pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kishin njoftuar paraprakisht qëndrimin e tyre të palëkundur kundër bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas këtij rezultati, vëmendja kthehet te Presidenca. Pritet që Presidentja Vjosa Osmani t’i thërrasë partitë politike për takime konsultative brenda afateve kushtetuese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme