Kryeministri Rama prezanton projektin fitues të “Parkut të Besimit”: Destinacion unik i arkitekturës ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot projektin fitues të garës ndërkombëtare për ndërtimin e “Parkut të Besimit” në Tiranë, një hapësirë arkitekturore unike që synon të shndërrojë harmoninë ndërfetare në një eksperiencë të prekshme dhe përfshirëse përmes elementëve natyrorë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga projekti dhe vlerësoi kontributin e të gjitha studiove pjesëmarrëse, duke e cilësuar këtë konkurs si më emocionuesin dhe më të ndërlikuarin deri më sot.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në konkurs, duke theksuar se ky projekt ishte një nga më të ndërlikuarit dhe më emocionuesit që është zhvilluar deri më tani:
“Derisa të merrnim vendimin final, ishim të ndarë jo si juristë, por brenda vetes. Ishte një konkurs kompleks, emocionues dhe i ndërlikuar, ku çdo projekt na mësoi diçka të re. Do të doja të kishim mundësi për më shumë parqe të tilla,” u shpreh ai.
Rama vlerësoi energjinë dhe kreativitetin e jashtëzakonshëm të ekipeve pjesëmarrëse, duke e cilësuar këtë moment si një nga ato që “të ngrenë shpirtin lart” dhe që e bëjnë të vlefshme përballjen me sfidat e përditshme të politikës.
“Ajo çfarë të gjithë keni sjellë dhe na keni ofruar është e jashtëzakonshme. Shpresoj fort që do të kremtojmë së bashku çeljen e këtij paru i cili është diçka për të cilën do të jemi shumë krenar. Shpresoj fort që do të kremtojmë së bashku çeljen e këtij parku, i cili është diçka për të cilën do të jemi shumë krenarë. Një energji e shkëlqyer, një moment i jashtëzakonshëm arkitekture, krijimi peizazhi dhe të menduarit për natyrën dhe është një nga ato momente ku i thua të vërtetës që e gjithë mizerabiliteti që sjell politika në jetët tona vlen të përballohet sepse ka gjëra t tilla në fakt që të ngrenë shpirtin lart dhe me të cilat ndihesh i bekuar,” përfundoi kryeministri Rama.
Në ceremoninë përmbyllëse të konkursit të mbajtur në Tiranë, studioja prestigjioze ndërkombëtare BIG – Bjarke Ingels Group u shpall fituese mes 12 finalistëve nga vende si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia.
Parku i Besimit do të ndërtohet mbi idenë e bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar, duke u frymëzuar nga pemët, frutat dhe lulet e përmendura në shkrimet e shenjta.
Ai synon të japë qytetit të Tiranës një dimension të ri shpirtëror dhe estetik, duke u kthyer në një pikë takimi për qytetarët dhe vizitorët që kërkojnë frymëzim, paqe dhe bashkëjetesë.
Parku i Besimit do të ndërtohet në kodrat e Petrelës, në një zonë që dikur shërbente si kazermë ushtarake.
Parku do të përfshijë hapësira të dedikuara për besimet fetare të shqiptarëve, ku secila fe do të ketë rrugën e saj, të pasqyruar përmes objekteve të kultit dhe elementëve natyrorë të përmendur në shkrimet e shenjta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




