Kryepeshkopi Joan Palushi në podcastin “Flasim”: Solidariteti, i nevojshëm për të ruajtur familjen njerëzore

Aktualitet | 2 vite më parë

Në një bashkëbisedim me kryeministrin Edi Rama në podcastin “Flasim”, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan Palushi, ka ndarë përvojat e tij personale dhe mendimet mbi besimin dhe solidaritetin në botë.

Ai ka treguar historinë e tij të konvertimit, duke shpjeguar se si leximi i Ungjillit i ndryshoi jetën. Kryepeshkopi theksoi se nuk bëhej fjalë për një konvertim, por për një zbulim të thellë të besimit, që e çoi atë në vendimin për t’u bërë prift.

“Unë vij nga një familje shumë e madhe dhe jo e krishterë, në atë kohë nuk praktikohej asnjë lloj besimi. Nuk ishte konvertim. Kur lexova për herë të parë Ungjillin, në vitin e katërt të gjimnazit, ndodhi diçka thellë brenda meje. Mu kthye sërish gëzimi i fëmijërisë. Në atë çast jeta ime ndryshoi. Pata fatin të njihesha edhe me njerëz që kishin akses në libra të tilla. Bindja për t’u bërë prift lindi atëherë. Pas leximit të Ungjillit, unë u pagëzova në Shqipëri, Nuni ishte Petro Zheji. U pagëzova nga një prift hero, në bodrumin e shtëpisë së tij. Ndaj ishte edhe lidhja me Kishën Ortodokse, sepse aty u pagëzova. Dhe më pas shkova në Amerikë për të studiuar. Por unë u thashë që në momentin që Kisha do hapej atje, unë do të kthehem”, u shpreh ai.

Në bisedën e tij Kryepeshkopi Joan vuri theksin te rëndësia e solidaritetit në shoqëri, duke thënë se “liria me barazinë nuk qëndrojnë bashkë, duhet solidaritet.” Ai shtoi se ky solidaritet është i nevojshëm për të ruajtur familjen njerëzore dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin.

“Liria me barazinë nuk qëndrojnë bashkë, duhet solidaritet. Edhe për familjen njerëzore duhet solidaritet, dhe për këtë duhet edhe Perëndia,” u shpreh ai.

Një pjesë e bisedës që ngjalli diskutim ishte kur Rama e pyeti Kryepeshkopin për problemet e mëdha të njerëzimit, si masakrat dhe vuajtjet, dhe pse Zoti lejon që të ndodhin këto.

“E keqja nuk ekziston, është e mira që është deformuar,” tha Kryepeshkopi Joan, i cili sqaroi se deformimi i së mirës ka ndodhur për shkak të lirisë së vullnetit të njerëzve.

“Ne jetojmë në kohë dhe në hapësirë, ne na duket shumë gjatë, për Perëndinë. Te Zoti nuk ka as të shkuar, as të ardhme. Është një e tashme e përgjithshme. Ajo që mund të na duket një kohë e pafund, mund të jetë e shkurtër. E keqja vjen nga deformimi që bëri njeriu,” u shpreh Kryepeshkopi.

Gjithashtu, Kryepeshkopi ndau një përvojë të veçantë nga jeta e tij profesionale para se të bëhej prift. Ai kishte shërbyer si infermier në psikiatri, një eksperiencë që, siç theksoi, e kishte frymëzuar dhe e kishte çuar në një ndjenjë të thellë dhembshurie për ata që përballen me sfida të mëdha.

“Arsyeja përse shkova atje, ishte frymëzimi i Ungjillit. Familja u çudit fillimisht sepse isha një djalë i ri. Kur shkova dhe pashë atë realitet, nisi një dhembshuri e madhe për këta njerëz. Ajo që ndjeva herën e parë ishte dhembshuri, aq më tepër kur pashë që atje ishte edhe një person që e kisha njohur e kisha pasur në klasë. Mendja është gjëja më e rëndësishme e njeriut. Këta njerëz duhet të ndihmohen,” tha Kryepeshkopi Joan Palushi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme