Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dënon dhunën në protestën e PD-së

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj akteve të dhunës të shënuara gjatë protestës së opozitës. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, të shoqëruar me fotografi të dëmeve nga lëndët djegëse, Balla e cilësoi përdorimin e bombave molotov si të papranueshëm dhe theksoi se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
Ai ka kërkuar që faturat për dëmet e shkaktuara ndaj pronës publike, veçanërisht automjeteve të Policisë së Shtetit, të mbulohen nga vetë pagat e deputetëve të Partisë Demokratike.
Kreu i grupit socialist vuri në dukje një kontrast në veprimet e demonstruesve, duke i krahasuar ato me thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për paqe.
“Deputetët e një partie që paguhen nga taksat e qytetarëve dhe që i vënë zjarrin makinave të Policisë së Shtetit do duhet ta paguajnë dëmin nga pagat e tyre! Ndërsa anëtarët e Parlamentit Evropian apo të Bundestagut gjerman bëjnë thirrje se ‘protestat e dhunshme s’kanë vend në demokraci’, Partia Demokratike i hedh molotovët me flamujt e BE-së dhe gjermanë në duar,” u shpreh Balla.
Në mbyllje të reagimit të tij, ai u bëri thirrje organizatorëve të protestës dhe qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe të ushtrojnë të drejtën e tubimit vetëm në mënyrë paqësore, në përputhje me standardet e kërkuara nga institucionet evropiane.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




