Kulla e Sahatit në Libohovë, ndërhyhet për restaurimin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë

E ndërtuar në fillim të shekullit XIX nga Ali Pashë Tepelena, dhe e vendosur në një pjesë shkëmbore mbi qytet, kulla e sahatit në Libohovë ka mundur t’i qëndrojë kohërave, duke dëshmuar vlerat e trashëgimisë së këtij qyteti.
Për të vijuar ekzistencën e saj, kjo kullë ka nevojë për ndërhyrje të herëpashershme. Drejtoria rajonale e trashëgimisë së kulturës në Gjirokastër, në kuadër të planit të hartuar për vitin 2024 ka nisur restaurimin e saj. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Ardis Duka thotë se fillimisht ndërhyrjet po bëhen në pjesën e çatisë së saj.
“Aktualisht vazhdon puna në Kullën e Sahatit në Libohovë është monument kulture e kategorisë së parë dhe po punohet në riparimin e çatisë së saj që rrezikon të rrëzohet”, tha ai
Sipas z. Duka, kjo kullë në vijim do restaurohet në tërësinë e saj, por rikthimi i saj në funksionin e dikurshëm nuk është kompetencë e kësaj drejtorie.
“Po hartohet një restaurim total i këtij objekti, por kthimi i saj në gjendjen e saj të mëparshme tejkalon kompetencat tona si drejtori rajonale pasi ajo do një projekt më madhor dhe më të specializuar”, tha ai.
Kulla e Sahatit në Libohovë është monument kulture i kategorisë së parë . Dikur kjo kullë ka shërbyer për llogaritjen e orës dhe kambana e saj dëgjohej në gjithë zonën. Ndërsa sot ajo mbart një histori shumë vjeçare brenda saj dhe është shndërruar edhe si një simbol i qytetit të Libohovës, duke përfaqësuar vlera të trashëgimisë kulturore.
Gazetare: E. Lazi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




