Kupa e Shqipërisë, emocione të mëdha

Rikthehen emocionet e një tjetër aktiviteti madhor në volejbollin shqiptar në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Pas finaleve të Ligës “Gjergj Kastrioti”, më 1-3 mars në Korçë, të cilat u mbyllën me fitimin e trofeut nga Partizani për meshkuj dhe Skënderbeu për femra, tanimë do të jetë Kupa e Shqipërisë. Në sallën olimpike “Feti Borova” në ora 15:00 për meshkuj finalja në derbin Partizani – Tirana dhe në ora 18:00 për femra, Skënderbeu – Tirana.
Për djem kjo është përballja e pestë e këtij sezoni Partizani – Tirana. Deri më tani numërohen dy fitore 3-0 të Partizanit të Ylli Tomorrit, një në kampionat dhe një në finalen e Ligës “Gjergj Kastrioti”. E Partizani, që numëron 13 Kupa të Shqipërisë, rikthehet në këtë finale pas dy vitesh kur më 2021 pat mundur Erzenin. Ndërkohë Tirana, dy herë fituese radhazi në sezonet e fundit në Kupën e Shqipërisë, e ka mundur 3-2 dhe 3-1 në fazën e grupeve Partizanin. Për bardheblutë e Arben Sakos numërohen 9 Kupa të fituara, teksa të fundit e ka fituar vitin e kaluar ndaj Erzenit, 3-1.
Tjetër gjë volejbolli i femrave. Tirana e Skënderbeu kanë qenë përballë njëra-tjetrës në finalen e Kupës së Shqipërisë më 6 mars 2022, kur bardheblutë e Amarilda Prengës fituan 3-0. 8 herë e ka fituar Kupën e Shqipërisë Skënderbeu, për herë të fundit vitin e kaluar 3-2 ndaj Partizanit, kurse Tirana 11 herë, për herë të fundit më 2022. Bardheblutë kanë ndërruar dhe trajnerin, kjo pas dorëheqjes së Hasan Gurabardhit e në krye është vendosur turku Bulent Karsliogly, i cili sezonin e kaluar shpalli Partizanin kampion në volejboll për femra. Pra finale të ethshme dhe emocione të mëdha të rrjetës shqiptare në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




