“Kupola e nxehtësisë mbi Europë/ Temperaturat kalojnë 40°C, vala e të nxehtit shkakton viktima në Francë, në Romë e Milano alarm i kuq

Evropa po kalon një nga episodet më të rënda të vapës së viteve të fundit, me temperatura që afrohen ose kalojnë 40°C, viktima në Francë, alarme të kuqe në disa shtete dhe shqetësime në rritje për ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Temperaturat e larta kanë shkaktuar ndërprerje në shërbime dhe masa emergjente nga autoritetet.
Në Angli dhe Uells janë shpallur paralajmërime të kuqe për temperatura ekstreme. Meteorologët parashikojnë që temperaturat të arrijnë 38-40°C, duke rrezikuar thyerjen e rekordit historik të muajit qershor. Autoritetet paralajmërojnë për rreziqe serioze për shëndetin e njerëzve, transportin, furnizimin me ujë dhe energji.
Më shumë se gjysma e territorit francez është nën nivelin më të lartë të alarmit për vapën. Deri tani janë raportuar të paktën 18 vdekje të lidhura me temperaturat e larta. Midis viktimave janë edhe dy fëmijë që u gjetën në një automjet të parkuar. Qeveria franceze ka zhvilluar mbledhje urgjente për menaxhimin e situatës, ndërsa 845 shkolla u mbyllën dhe 1,800 të tjera ndryshuan oraret. Një central bërthamor në jugperëndim pranë Tuluzës e fiku një reaktor sepse uji ftohës i marrë nga një lumë aty pranë ishte ngrohur shumë, tha një zëdhënës. Franca shpalli alarm të kuq për gjysmën e rajoneve të saj, me temperatura që tejkaluan 42°C në jugperëndim. Konsumi i alkoolit u ndalua gjatë festimeve të Ditës së Muzikës, ndërsa disa koncerte u anuluan. Muzeu i Luvrit anuloi një koncert falas për shkak të vapës. Në Francë janë raportuar rreth 20 mbytje gjatë fundjavës, pasi shumë njerëz kanë kërkuar freskim në lumenj, liqene dhe zona të tjera ujore, shpesh pa masa të mjaftueshme sigurie.
Edhe Italia, Spanja dhe Belgjika po përjetojnë temperatura jashtëzakonisht të larta. Në qytete si Roma dhe Milano janë shpallur alarme të kuqe për shkak të rrezikut që paraqet nxehtësia për popullsinë.
Në Berlin, finalja e turneut të tenisit Berlin Open u ndërpre dhe publiku u evakuuua për shkak të stuhive, ndërsa temperaturat në kryeqytet kaluan 30°C.
Në Belgjikë parashikimet flasin për temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë për këtë periudhë. Kompania kombëtare e hekurudhave anuloi disa udhëtime për të shmangur rrezikun e ndërprerjeve.
Spanja shpalli valën e parë të të nxehtit të vitit, me temperatura deri në 44°C. Një alarm i kuq u vendos në vendin Bask, ndërsa shfaqja publike e ndeshjes së Kupës së Botës u anulua në Madrid.
Në Zvicër Shërbimi Meteorologjik paralajmëroi për një “valë të fortë të nxehti” me temperatura deri në 37°C.
Meteorologët e lidhin këtë valë të nxehti me një fenomen atmosferik të quajtur “kupolë nxehtësie” (heat dome), i cili bllokon masat e ajrit të nxehtë mbi një rajon për disa ditë. Ajri i nxehtë që vjen nga Afrika Veriore po shtyn temperaturat në nivele rekord në shumë pjesë të Evropës.
Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta, më intensive dhe më të gjata. Studimet e fundit tregojnë se ekspozimi i popullsisë botërore ndaj temperaturave të rrezikshme është rritur ndjeshëm krahasuar me dekadat e kaluara.
Paralajmërimet e autoriteteve tregojnë se situata pritet të përkeqësohet, duke e bërë këtë një nga valët më të rënda të nxehtit të viteve të fundit në Evropë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



