Kurti reagon për takimin Putin-Porfirije: Partneritet që vendos rajonin në rrezik

Kosovë | 2 vite më parë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se takimi mes Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije dhe presidentit rus, Vladimir Putin vendos rajonin në rrezik.

Albin Kurti e ka cilësuar këtë takim si një “zhvillim shqetësues”, që përçon mesazhe politike me pasoja të rënda për stabilitetin në rajon.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ka bërë të ditur se gjatë bisedave me presidentin rus Vladimir Putin, e ka theksuar “rëndësinë e mbështetjes së Rusisë për pozitat e Serbisë, veçanërisht në lidhje me Kosovën, Republikën Srpska dhe Malin e Zi.

Ai ka shprehur mirënjohjen për qëndrimin e Rusisë ndaj Kosovës dhe ka thënë se populli serb e sheh popullin rus si të vetin.

“Pozita jonë për Kosovën, Republikën Srpska dhe Malin e Zi, besoj dhe ndjej se varet gjithashtu nga pozita e shtetit rus, Federatës Ruse në nivel global,” ka thënë Patriarku.

Kurti, në një shkrim në X ka ndarë pjesë nga diskutimet e Porfirijes me Putinin dhe ka thënë se diskutimet e tij nuk janë diplomaci fetare, por partneritet që rrezikon rajonin.

“Patriarku bëri thirrje për një riorganizim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse duke theksuar se ‘anija e vogël (serbe) që lundron në det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur me një anije të madhe ruse. Ai po ashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj – Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi – varet nga pozicioni botëror i Rusisë. Kjo nuk është diplomaci religjioze, por partneritet strategjik i regjimeve autoritare, që e vendos rajonin në një rrezik serioz”, ka shkruar Kurti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme