Kushtetuesja rrëzoi dekretin e Osmanit, Presidenca: S’ka pasur shkelje kushtetuese, të caktohet seanca për presidentin

Kosovë | 7 muaj më parë

Presidenca e Kosovës ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ai konfirmon se presidentja Vjosa Osmani nuk ka shkelur Kushtetutën me dekretin e saj.

Sipas reagimit, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje në veprimet e presidentes. Përkundrazi, sikurse theksohet në njoftimin e Presidencës, është sqaruar se vendi shkon në zgjedhje të reja jo për shkak të dekretit, por si pasojë e dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri.

Presidenca ka theksuar gjithashtu se caktimi i një afati shtesë për këtë proces nuk ka qenë në kompetencat e presidentes dhe se dekreti i saj ka ndihmuar në sqarimin përfundimtar të kësaj çështjeje nga Gjykata.

Në reagim kritikohen edhe pretendimet politike për shkelje kushtetuese, duke u cilësuar si keqinterpretim i vendimit dhe politizim i situatës. Sipas Presidencës, përgjegjësia për bllokimin e procesit bie mbi deputetët dhe mungesën e vullnetit për arritjen e konsensusit.

Në fund, u bëhet thirrje deputetëve që të mblidhen sa më shpejt dhe të zhvillojnë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri.

Njoftimi i plotë:

Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.

Në përputhje me komentet e dërguara nga Presidenca, edhe vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon në paragrafët 153, 155 dhe 190 se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet.

Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve.

Presidenca ka shprehur të njëjtin qëndrim në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke potencuar se dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe se nuk është dekreti, por është vetë dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje.

Rrjedhimisht, duke qenë se rrethana e moskonstituimit të Kuvendit me kohë nuk ka qenë e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese që vlen për këtë rast specifik, duke sqaruar se “në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.” (paragrafi 191 i Aktgjykimit)

Presidentja e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bën atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues.

Dhënia e këtij afati shtesë nga ana e gjykatës kushtetuese asesi nuk ka qenë në kompetencën e Presidentes së Republikës. Por është pikërisht dekreti i Presidentes që e ka hapur rrugën për këtë sqarim të rëndësishëm nga ana e gjykatës si autoritet i vetëm dhe përfundimtar për të interpretuar Kushtetutën.

Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit.

Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme