Kuvend, Boçi: Keni falsifikuar procesverbalin e votimit të ligjit për barazinë gjinore. Peleshi: Votimi kundër s’bëhet me mendje, por me buton

Politikë | 12 muaj më parë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boci, ka denoncuar në Kuvend se procesverbali i votimit të ligjit për barazinë gjinore është i falsifikuar. Sipas tij, në dokument rezulton se disa deputetë të PD-së, përfshirë Jozefina Topalli, Ina Zhupa dhe Edi Paloka, shënohen si “nuk kanë votuar”, ndërkohë që ata nuk kanë qenë fare prezent në sallë gjatë votimit.

Gjithashtu, tha Boçi, në procesverbal rezulton se Gazmend Bardhi dhe Flamur Noka nuk kanë votuar, ndërkohë që sipas PD-së qëndrim i tyre ka qenë kundër në unanimitet.

“Po i referohem procesverbalit për votimin “Për ligjin për barazinë gjinore” ku thotë se të pranishëm ishin 135 deputetë nga të cilët 77 votuan por, 36 kundër dhe 22 nuk votuan. Ky procesverbal është i falsifikuar sepse te pranishëm nga deputetët e PD kanë qenë 36 dhe në unison kanë votuar kundër pa ekuivok dhe ju furnizoni median me dokumente të falsifikuara. Jozefina Topalli, Ina Zhupa, Edi Paloka e të tjerë nuk kanë qenë prezent në sallë dhe ju e keni shënuar nuk votoi. Ne procesverbal Gazmend Bardhi rezulton se nuk ka votuar edhe Flamur Noka etj. Kjo është e qëllimshme, nuk e di sa herë ka ndodhur kjo histori në votime dhe ligje sensistive. Kemi qenë në unison pa ekuivok kundër këtij ligji “, tha Boçi.

Gjithashtu Boçi tha se Berisha është përjashtuar nga seancat e parlamentit me10 ditë për deklarata që i kishte bërë jashtë Kuvendit dhe se kjo nuk është e ligjshme.

“Ai procesverbal tregon qëndrimin tonë në seancë dhe në fjalët e thëna aty nuk lexova asnjë fjalë të Zotit Berisha që tejkaloi fjalorin. Ju morët një vendim përjashtimi pse foli jashtë kuvendit.  Deputetët përjashtohen vetëm kur flasin brenda Kuvendit dhe jo jashtë”, tha Boçi.

Nga ana e tij, Kryeparlamentari Niko Peleshi theksoi se procesverbali gjenerohet nga sistemi elektronik, dhe se rezultatet varen nga përdorimi i kartës së deputetit. Ai u kërkoi deputetëve që të largojnë kartën nëse nuk janë prezent, duke sqaruar se votimi kundër nuk bëhet “me mendje”, por vetëm përmes sistemit elektronik.

“Procesverbali gjenerohet nga sistemi elektronik dhe vlen të theksohet nëse kartën e lini të vendosur brenda atëherë rezulton se jeni prezent. Për të mos e keq informuar sistemin ju lutem hiqeni kartën kur nuk jeni prezent. Votimi kundër nuk behet me mendje por me shtypje butoni. Sistemi është elektronik’, tha Peleshi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme