“Kuvend modern si në BE”- Peleshi dhe Gonzato nisin projektin për transparencën dhe mbikëqyrjen parlamentare

Politikë | 11 muaj më parë

Kuvendi i Shqipërisë do t’i nënshtrohet një procesi transformimi për të rritur llogaridhënien dhe transparencën, falë një programi të ri bashkëpunimi me Bashkimin Evropian. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, diskutuan sot nisjen e zbatimit të këtij projekti, i cili synon të përafrojë punën e legjislativit shqiptar me standardet e vendeve anëtare të unionit.

Thelbi i këtij bashkëpunimi nuk është vetëm procedura legjislative, por mbi të gjitha forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj institucioneve të tjera. Programi parashikon rritjen e kapaciteteve institucionale për ta bërë Kuvendin më efektiv në kontroll dhe më të hapur në komunikim. Synimi është krijimi i urave të reja të bashkëpunimit me shoqërinë civile, median, grupet e interesit dhe qytetarët, duke garantuar që zëri i tyre të dëgjohet më shumë në procesin e hartimit të ligjeve.

Lidership në procesin e integrimit

Në takim u theksua se Kuvendi duhet të marrë një rol lider në procesin e integrimit europian. Përmes këtij programi, synohet që brenda kësaj legjislature, institucioni të funksionojë si një parlament modern dhe i besueshëm.

“Qëllimi është që Kuvendi i Shqipërisë të funksionojë në përputhje të plotë me standardet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke reflektuar angazhimin dhe arritjet e Shqipërisë,” thuhet në njoftimin për shtyp. .

Ky hap vjen në një moment kyç për Shqipërinë, kur roli i parlamentit është vendimtar në miratimin e reformave që kërkon rruga drejt Brukselit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme