Kuvendi rrëzon kërkesën tjetër të PD për mocion me debat për fondet e IPARD, Bardhi: Me fondet e BE, financuat krimin e organizuar

Politikë | 1 vit më parë

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat dhe ngritjen e një Komisioni të Posaçëm parlamentar lidhur me gjetjet e OLAF për fondet e programit IPARD. Kërkesa u hodh poshtë me votat e maxhorancës.

Gjatë seancës plenare, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi Partinë Socialiste se ka përdorur fondet e Bashkimit Evropian për të financuar krimin e organizuar, duke e cilësuar refuzimin e mocionit si shmangie nga transparenca për fermerët shqiptarë.

“Çdo shqiptar e pa se cili ishte interesi i PS për fermerët. Mocioni ishte për ta, por u fol vetëm 30 sekonda për fermerët. Ne kemi ndjekur shembullin tuaj kur ngritët Komisionin Xhafaj për mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin. Pse nuk doni të flisni për bllokimin e fondeve nga BE?”, deklaroi Bardhi.

Ai tha se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku fondet IPARD janë pezulluar, duke akuzuar qeverinë për keqpërdorim të parave të taksapaguesve evropianë. Bardhi theksoi se do të kërkojnë edhe ngritjen e një Komisioni Hetimor në lidhje me këtë çështje.

“Nuk donim të bënim politikë me këtë çështje, por ju keni në dorë të rrëzoni mocionin. Brenda javës do të dorëzojmë kërkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor. Duam të verifikojmë sesi babai i Suela Çellës mori paratë e fermerëve. Keni frikë se do themi që në vend të financoni fermerët, keni financuar krimin e organizuar me fondet e BE-së?”, vijoi Bardhi.

Ai kërkoi që Kuvendi të angazhohet për të gjetur zgjidhje dhe për të miratuar ndërhyrjet ligjore të nevojshme që do të garantonin lëvrimin e 112 milionë eurove të pezulluara për fermerët shqiptarë.

Kjo është kërkesa e dytë për mocion me debat që i rrëzohet Partisë Demokratike gjatë kësaj seance, pas rrëzimit të kërkesës për mocion mbi programin qeverisës, teksa vijojnë diskutimet për kërkesën për mocion me debat e rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme