Kuvendi – Balla: Buxheti më i madh në historinë e vendit, rritje rekord të pensioneve deri në vitin 2030

Politikë | 12 muaj më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës plenare të sotme (19 nëntor), u ndal tek debatet procedurale të kërkuara nga opozita, duke theksuar se mocionet për debat janë shndërruar në një “garë firmash” mes tyre.

Ai deklaroi se kërkesat do të marrin përgjigje vetëm pasi qeveria të paraqesë projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin e cilësoi “buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë” me një vlerë prej 8.9 miliardë eurosh, nga të cilat 1.7 miliardë euro dedikohen politikave sociale.

“Diskutimi në këtë moment nuk është diskutimi për thelbin por për procedurën. Në konferencën e Kryetarëve e kemi thënë qartë se kërkesa juaj e merr përgjigjen pas pikës ë rendit të ditës kur qeveria shqiptare i paraqet popullit shqiptar buxhetin më të madh në historinë e vendit 8.9 miliardë euro nga të cilat 1.7 miliardë euro janë vetëm për politikat sociale. Kjo është një garë mes jush se kush mbledh ca firma për të kërkuar një mocion për debat për të shfrytëzuar këtë 10 minutëshin këtu se nuk gjej dot asnjë shpjegim tjetër se përmes kësaj garë keni kërkuar mocione në debat më shumë se ç’keni kërkuar në 4 vite a thua nuk keni qenë të njëjtët ju”, u shpreh Balla.

Në fjalën e tij, Balla u ndal edhe te reforma e re e pensioneve, duke nënvizuar se sot Kuvendi pritet të miratojë rritjen më të madhe të pensioneve në historinë e vendit. Sipas tij, rritja do të jetë progresive gjatë viteve 2026–2030, ndërsa në vitin 2030 pensionet urbane do të arrijnë deri në 400 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë, pensioni rural, i cili sipas tij nuk ekzistonte më parë në këtë formë, do të shkojë në 18 mijë lekë të reja.

“Kemi bërë 40 orë debat në dy muaj nga të cilat 23 orë debat i keni harxhuar ju 17 i kemi harxhuar ne bashke me qeverinë. Nga ana jonë keni dakordisinë e plotë të miratojmë çdo kërkesë që vjen nëse ajo kërkesë është në përputhje më Kushtetutën dhe rregulloren. Është e rëndësishme të pranoni se rregullat këtu janë për të gjithë. Sot jemi këtu për të miratuar ngritjen më të madhe të pensioneve në historinë e këtij vendi. Me këtë reformë të re pensionesh që qeveria shqiptare sot, ne garantojmë një rritje progresivë nga 2026-2030 dhe në 2030 do jemi po ne që do ngremë përsëri deri në 400 mijë lek për pensionet urban dhe një pension që nuk ishte fare atëherë kur ishit ju, ne e çojmë në 18 mijë lek pensionin rural”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme