Lajmi shqiptar në fotografitë e ATSH, ekspozitë me imazhe, Agjencia Telegrafike hap arkivën
Nga sallat e para të transmetimit në vitet ’20, dekreti për shtypin e lirë, radiostacionet e deri te teknologjitë digjitale të sotme, ATSH ekspozoi një pjesë të materialeve arkivore dëshmi e historisë së Shqipërisë.
Një udhë e gjatë dhe e pandërprerë e lajmit, ish-drejtues, por edhe fotoreporterë shfaqen përmes imazheve që datojnë prej një kohe të largët.
Në Ditën e Europës kjo ekspozitë pasqyron lidhjen e ngushtë midis informacionit, zhvillimeve teknologjike dhe ndryshimeve në vend.
“Është dita kur liria e medias, vërtetësia e informacionit, besueshmëria e burimeve zyrtare, aftësia për të komunikuar qartë e saktë me qytetarët janë të pandara nga Europa. Janë koncepte që na bashkëshoqërojnë dhe janë boshti i vlerave të asaj shoqërie që ne aspirojmë”, u shpreh zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu.
Mbi 300 mijë fotografi dhe negativë filmikë, do të mund të jenë të aksesuesueshme për publikun falë procesit të digjitalizimit të arkivit
“Ne jemi duke bërë më në fund dixhitalizimin e tij. Ky fond përfshin mbi 300.000 fotografi dhe negativë filmi, mes tyre edhe materiale të hershme në xham që sot po dixhitalizohen…” tha Valbona Zhupa, drejtore e ATSH-së.
Mbi një shekull që nga themelimi i saj, ATSH sot bashkëpunon me mbi 35 agjenci dhe institucione mediatike ndërkombëtare.
Ndërsa kjo ekspozitë tek Kalaja e Tiranës do të vijojë të jetë e hapur për disa ditë me radhë.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




