Lamtumirë Fatos Nano! Xhoana Nano: Ai ishte më shumë se një figurë për t’u kujtuar në histori, besonte te vlerat europiane
Bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, Xhoana Nano, zhvilloi homazhe dhe mbajti një fjalim të ndjerë për të shprehur dhimbjen dhe mirënjohjen për bashkëshortin e saj.
Në fjalimin e saj, ajo kujtoi Nano si një njeri që nuk donte kurrë të shtirej dhe e urrente populizmin, duke vepruar gjithmonë sipas bindjeve të tij dhe duke besuar tek ato që bënte.
“Ai besonte me shpirt tek vlerat europiane,” tha Znj.Nano.
Ajo e përshkroi Fatosin si një njeri me zemër të madhe, i cili dinte të falte dhe nuk kërkonte hakmarrje, madje edhe pas vuajtjeve dhe burgimit të padrejtë.
“Fatosi ishte shumë më tepër se një figurë publike, shumë më tepër se ato që mund të pasqyrohen në histori apo media. Ai nuk donte kurrë të shtirej, e urrente populizmin dhe bënte gjithmonë atë që besonte, duke besuar tek ajo që bënte. Ai besonte me shpirt tek vlerat europiane. Ai ecte larg baltës së politikës pa u ndotur prej saj. Nuk ishte i zakonshëm; nuk bënte asgjë përgjysmë, as në punë, as në miqësi, as në dashuri. Ai kishte zemër të madhe dhe dinte të falte. Hakmarrja nuk ishte pjesë e tij, dhe këtë e tregoi edhe pas vuajtjeve dhe burgimit të padrejtë”, u shpreh Znj.Nano.
Me zërin që i dridhej dhe sytë e mbushur me lot, Znj. Nano, tha se sot ndahet me njeriun që më mësoi të dashuroj një Shqipëri ndryshe.
Duke kujtuar fillimet e marrëdhënies së tyre, Xhoana tha se ishte ende një vajzë e re kur u dashurua me Fatosin, një dashuri që nuk ishte vetëm për njeriun, por edhe për idealet e tij.
“Dita e sotme është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës, po ndahem me njeriun me të cilin kalova një çerek shekulli jetë, më lidhen shumë e shumë ëndrra, shpresa e zhgënjime të përbashkëta. Sot është një nga ato ditë që s’do dëshiroja ta jetoja kurrë, e tillë është kjo ditë edhe për fëmijët tanë. Këtu e një çerek shekulli më parë unë, një vajzë fare e re me intuitën e moshës së pafajshme, rashë në dashuri me Fatosin. Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di: kisha rënë në dashuri jo thjesht me Fatosin si person, por shumë më shumë se kaq. Kisha rënë në dashuri me vizionin e një Shqipërie ndryshe, komplet tjetër nga ajo që jetonim asaj kohe, të një Shqipërie që lipej të largohej me urgjencë nga tradita shekullore e barbarisë dhe të fitonte një kurs tjetër, civil, modern dhe europian. Të gjitha këto do t’i gjej te Fatosi”, tha Znj. Nano.
Xhoana Nano përfundoi duke theksuar se Fatosi dëshironte që Shqipëria të bëhej më e begatë, më e drejtë dhe më njerëzore, duke u angazhuar deri në fund për të ardhmen e vendit.
“Sjellja e tij riktheu paqen sociale në vend, edhe pse kjo nuk duket gjithmonë. Fatosi solli një frymë të re, duke e parë jetën politike jo si përplasje apo garë për pushtet, por si një mundësi për të arritur kompromis dhe drejtësi. Ai donte këtë vend me gjithë shpirt, dhe pavarësisht vuajtjeve personale, nuk hoqi dorë nga dëshira për ta parë Shqipërinë më të begatë, më të drejtë dhe më njerëzore”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




