Lavrov: Rusia kërkon që të vazhdojë bashkëpunimi midis Iranit dhe IAEA-s

Botë | 1 vit më parë

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov ka deklaruar se Moska dëshiron që Irani të vazhdojë bashkëpunimin e tij me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Ndërkohë ditën e djeshme Parlamenti i Iranit miratoi projektligjin për të pezulluar bashkëpunimin me IAEA-në, mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, pasi Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara bombarduan vendet bërthamore të Iranit me qëllim parandalimin e Teheranit nga prodhimi armës bërthamore.

Rusia, e cila ka një partneritet strategjik me Iranin, ka dënuar sulmet izraelite dhe amerikane dhe thotë se Teherani ka të drejtë për një program paqësor të energjisë bërthamore.

Ndërkaq, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se zyrtarët amerikanë dhe iranianë do të zhvillojnë bisedime javën e ardhshme, duke dhënë shpresë të kujdesshme për paqe afatgjatë, pas vendosjes së armëpushimit edhe pse Teherani këmbënguli se nuk do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

Trump, i cili negocioi armëpushimin që hyri në fuqi të martën në ditën e 12-të të luftimeve midis Izraelit dhe Iranit, u tha gazetarëve në samitin e NATO-s në Hagë se nuk ishte i interesuar të rifillonte negociatat me Iranin, duke këmbëngulur se sulmet amerikane kishin shkatërruar programin e tij bërthamor.

“Mund të nënshkruajmë një marrëveshje, nuk e di. Për mua, nuk mendoj se është aq e nevojshme. Nga mënyra se si e shoh unë, ata luftuan, lufta ka mbaruar”, tha Trump.

Megjithatë, Irani ka këmbëngulur se nuk do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, dhe parlamenti i tij ra dakord të përshpejtojë një propozim që do të ndalonte në mënyrë efektive bashkëpunimin e vendit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Gjithashtu, Irani nuk ka pranuar për të zhvilluar bisedime javën e ardhshme dhe një zyrtar iranian vuri në dyshim nëse Shteteve të Bashkuara mund t’u besohet pas sulmit të tyre në vendet bërthamore iraniane.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme