Lëvizjet në PD-Neza në “3D”: Takimet, presion që çështjet të ngrihen në forumet e partisë
Analisti Sami Neza ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se takimi i fundit i një grupimi të caktuar në Partinë Demokratike nuk paraqet një lëvizje të re brenda radhës së demokratëve por është më shumë një diskutim i atillë që çështjet e trajtuara prej tyre të ngrihen edhe në forumet e Partisë Demokratike.
Ai vuri në dukje se ky takim mes eksponentëve të Partisë Demokratike në thelb nuk duket edhe aq informal.
“Çfarë shoh unë këtu? Nga ky takim reflektohet mungesa e hapësirës. Takimi informal i disa njerëzve në Partinë Demokratike, nuk më duket aq informal por më duket i rëndësishëm. Ka racionalitet brenda, nuk ka vetëm kafe. Auloni thotë që kemi biseduar për tema të rëndësishme, tema të cilat janë të prekshme dhe janë të debatueshme dhe janë të nevojshme të debatohen brenda Partisë Demokratike”, u shpreh Neza.
Sipas Nezës, takimet dhe diskutimet e tilla paraqesin një diversitet mendimesh në raport me lidershipin e PD-së.
“Këta mund ta bënin këtë takim, mund të ketë edhe grupe të tjera të cilat në mënyrat e tyre mund të ndërtojë një pamje të diversitetit politik në raport me lidershipin. Një gjë më duket pak si e shpejtë. Them se këto gjëra duhet të ishin diskutuar në forume. Auloni thotë se nuk ka pasur mbledhje për t’u diskutuar, unë gjykoj një pjesë e këtyre që ka marrë pjesë në këtë takim informal janë edhe anëtarë të kryesisë së Partisë Demoktratike dhe kanë pasur mundësi të artikulojë këto ide”, tha Neza ndërsa shpjegoi se “ka një presion që çështjet që po ngrihen të kalojnë në diskutimet e forumeve të Partisë Demokratike dhe të ketë një vendimmarrje në raport me çfarë këta propozojnë në fakt. Nuk shoh se këta kanë ndonjë gjë të re që i mban si një korrent më vete brenda Partisë Demokratike”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




