Lindja e Mesme – Irani kërcënon përgjigjen me shkatërruese nëse rinisin sulmet ndaj tij

Botë | 5 muaj më parë

Kryenegociatori dhe kryeparlamentari i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi sot SHBA-në se vendi i tij do të japë një përgjigje “më shkatërruese dhe më të hidhur” nëse Uashingtoni rinis sulmet ndaj Republikës Islamike. 

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Ghalibaf tha se forcat e armatosura iraniane kanë rindërtuar kapacitetet e tyre gjatë periudhës së armëpushimit. “Nëse Trump kryen një tjetër akt çmendurie dhe rinis luftën, SHBA do të përballet me një përgjigje më shkatërruese se në ditën e parë të konfliktit,” u shpreh ai. 

Paralajmërimi i Ghalibaf erdhi pas vizitës në Teheran të shefit të ushtrisë së Pakistanit, vend që po luan rolin e ndërmjetësit në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit. Gjenerali Munir u takua dy herë me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ku sipas mediave iraniane u diskutuan iniciativa për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për t’i dhënë fund luftës. 

Republika Islamike po shqyrton propozimet më të fundit amerikane, por udhëheqja iraniane ka akuzuar Uashingtonin për kërkesa të tepruara. Ndërkohë, mediat amerikane “CBS” dhe “Axios” raportuan se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e rinisjes së sulmeve ndaj Iranit, edhe pse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. 

Sipas “CBS”, anëtarë të ushtrisë dhe aparatit të inteligjencës amerikane kishin anuluar planet e fundjavës, ndërkohë që presidenti Donald Trump zgjodhi të qëndronte në Uashington në vend që të merrte pjesë në ceremoninë e dasmës së djalit të tij të madh. 

“Axios” raportoi se Trump është acaruar së tepërmi rreth negociatave me Iranin dhe se qasja e tij ka ndryshuar gjatë javës së fundit, nga dhënia e kohës diplomacisë drejt urdhërimit të sulmeve të reja. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme