Llogari bankare falas për pensionistët, ekspertja thotë se problemi është për zonat e thella

Ekonomi | 3 vite më parë

Ligji ‘Për Llogarinë e Pagesave me Shërbime Bazike’ që i jep mundësi pensionistëve dhe personat që përfitojnë nga politikat sociale të qeverisë të hapin llogari bankare falas ka hyrë në fuqi këtë muaj. Për eksperten e ekonomisë Romina Radonshiq ky ligj vjen në kohën e duhur pasi Shqipëria por ecën drejt Bashkimit Evropian dhe qarkullimi i parasë kesh duhet të minimizohet.

“Nga elementet dhe kushtet le të themi që ne të mundohemi të reduktojmë sa më shumë përdorimin e kesh-it. Shqipëria po jep një shembull të mirë duke nisur nga transfertat që jep qeveria, pensionet dhe ndihmat ekonomike dhe më pas ky është një sinjal edhe për bizneset”, tha Romina Radonshiq.

Ato persona që kanë dalë në pension vitet e fundit për Radonshiq nuk kanë për të pasur asnjë problem pasi janë mësuar të marrin pagat në sistemin bankar. Por problematike është për ata që jetojnë në zonat rurale apo edhe që janë në një moshë më të madhe.

“Sfidë do të ishte për zonat rurale, për ato të cilët edhe nëse e njohin shumë mirë sistemin bankar e kanë të vështirë sepse është fakti se jo në çdo fshat ne kemi bankomate dhe banka dhe jo vetëm për këtë por ka shumë pensionist që janë në moshë dhe nuk kanë njohuri të përdorimit të bankomateve. Megjithatë lajmi i mirë është që kjo është një iniciativë që nuk vjen e detyrueshme”, tha Radonshiq.

Ligji detyron që dhe për qytetarët e tjerë, jashtë këtyre kategorive të kenë  llogari bazike , kjo pasi  pjesa më e madhe e shërbimeve publike është online, dhe për kryerjen e pagesave për marrjen e dokumentacionit, individëve u duhet karta bankare, ose të paraqiten fizikisht në bankë.

Gazetare: A. Koçerri

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme