LVV fitoi në 3 komuna, Kurti: Shpresojmë që më 9 nëntor të fitojmë fuqishëm në 12 komunat e tjera

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në fjalën e tij në deklaratën për medie pas përfundimit të numërimit të votave në zgjedhjet për kryetarët dhe përbërjen e kuvendeve komunale, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje e fitoi garën pa balotazh në tre komuna Podujevë, Kamenicë dhe Shtime, ndërsa shpreson që më 9 nëntor të fitojë edhe në 12 komunat në të cilat shkoi në balotazh.
“Më 9 nëntor besojmë fuqishëm që do fitojnë në Prishtinë , në Mitrovicë, në Prizren, në Gjilan, në Gjakovë, në Pejë, në Kaçanik, në Vushtri, në Fushë-Kosovë, në Kastriot, Rahovec, Viti. LVV fitoi 3 komuna pa balotazh, ndoshta shtohet dhe Gjilani dhe bëhen 4. PDK fitoi 3 komuna pa balotazh, ndoshta i hiqet Hani i Elezit e mbeten 2.
Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 2 komuna pa balotazh, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate nga 1”, deklaroi Kurti.
Ky i fundit deklaroi se rezultati i prodhuar nga zgjedhjet e 12 tetorit, është i kënaqshëm, duke iu referuar jo vetëm numrit të komunave të fituara pa balotazh, por edhe numrit të komunave ku LVV është në balotazh.
“Rezultati është shumë i mirë. Jemi subjekti i parë për nga numri komunave të fituara pa balotazh, dhe numri i komunave ku jemi në balotazh.
Jemi plotësisht të kënaqur. Më 9 nëntor do kremtojmë fitoret pas balotazhit.
Qeveria qendrore, dita e fundit kur do mbahet seanca e kuvendit ku unë prezantoj kabinetin e ri qeveritar është 26 tetori”, deklaroi ai.
Me një pjesëmarrje prej 39.5 për qind, gara solli rezultate të ngushta për kandidatët për kryetar, ku në 21 komuna u përmbyll procesi të dielën dhe 17 komuna do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor, përfshi edhe Prishtinën.
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e fitoi garën pa balotazh në tre komuna Podujevë, Kamenicë dhe Shtime dhe shkon në balotazh në 12 të tjera, përfshirë Prishtinën, ku kandidati i saj Hajrullah Çeku është me rezultat të ngushtë pas kandidatit të LDK Përparim Rama. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në tre komuna Ferizaj, Skënderaj dhe Hani i Elezit, por humbi bastionin e vete, Drenasin, ku fitoi kandidati i pavarur Ramiz Lladrovci dhe shkon në balotazh në 6 të tjera.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




