Manastirliu: Fuqizimi ekonomik i grave, prioritet për zhvillimin e qëndrueshëm të Tiranës

Kandidatja e Partisë Socialiste për zgjedhjet e pjesshme vendore në bashkinë Tiranë, Ogerta Manastirliu, ka vendosur në fokus të fushatës së saj angazhimin për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave, përmes mbështetjes së sipërmarrjeve të drejtuara prej tyre.
Gjatë një vizite në sipërmarrjen e Mimoza Vojkës, e cila operon në fushën e tekstileve për tregje ndërkombëtare, Manastirliu ndau në rrjetet sociale një mesazh frymëzues, duke vlerësuar kontributin e grave në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kënaqësi të vizitoja sipërmarrjen e Mimoza Vojkës, një shembull frymëzues i një gruaje që me përkushtim e inovacion punon në fushën e tekstileve për shumë tregje ndërkombëtare. Vajza e saj, Felis Emanuel, po e çon më tej këtë histori suksesi me një brand tërësisht shqiptar, e vlerësuar edhe nga ‘Forbes’,” – shkroi Manastirliu.
Ajo theksoi se mbështetja për gratë sipërmarrëse është një nga prioritetet kryesore të programit të saj, duke synuar jo vetëm fuqizimin individual të grave, por edhe ndikimin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.
“Mbështetja e grave në sipërmarrje është një prej prioriteteve tona, për fuqizimin e mëtejshëm të grave e vajzave, për zgjerimin e bizneseve të grave që krijojnë vende pune të reja dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik e social të qytetit,” – nënvizoi ajo.
Vizita e Manastirliut në këtë sipërmarrje vjen si pjesë e një sërë takimesh me gra dhe vajza që drejtojnë biznese në Tiranë, me synimin për të promovuar modele suksesi dhe për të ndërtuar politika mbështetëse konkrete për sipërmarrjen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




