Marrëveshja e huasë prej 302 mln dollarësh me SHBA-në, Balla: Historike për sigurinë; Bardhi: E mirëpritur, por qeveria nuk përmbushi detyrimet ndaj NATO-s

Politikë | 3 muaj më parë

Shqipëria ka ratifikuar në Kuvend marrëveshjen financiare me vlerë 300 milionë dollarë, e cila do të përdoret për modernizimin dhe mbështetjen e nevojave konkrete të Forcave të Armatosura.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi marrëveshjen si historike për vendin dhe një dëshmi të marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Balla deklaroi se financimi do të shërbejë për forcimin e kapaciteteve të ushtrisë shqiptare dhe lidhet me rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë në sigurinë euroatlantike.

“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, një marrëveshje me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit. Ajo konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me aleatin e saj të madh, SHBA-në. Sot vjen për ratifikim një marrëveshje me vlerë 300 milionë dollarë dhe kjo shumë do të përdoret për Forcat e Armatosura. Shqipëria është një aleat i besueshëm i SHBA-së dhe një aleat i denjë i NATO-s”, u shpreh Balla, duke kritikuar edhe kundërshtarët politikë për qëndrimin ndaj marrëveshjes.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se opozita e mirëpret marrëveshjen, por ngriti rezerva ndaj qeverisë për mënyrën se si ka menaxhuar politikat e sigurisë dhe për përmbushjen e angazhimeve në kuadër të NATO-s. Ai shtoi se opozita nuk e ka pasur në dispozicion marrëveshjen e plotë dhe kërkoi më shumë transparencë, por theksoi se investime të tilla janë të nevojshme për Shqipërinë

“Kushtetuta për ju është firma e Edi Ramës, për ne është kontrata që kemi lidhur me qytetarët shqiptarë. Na foli për marrëveshje historike, keni pasur 14 vite kohë për të plotësuar buxhetin e sigurisë, na flet ti ne që s’kuptojmë marrëveshjen? Kur e quaje NATO-n natë, grupi këtej firmoste anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Më pak se 2% është buxheti i mbrojtjes së Shqipërisë në shkelje të angazhimit në NATO ndërkohë që Rama mburret publikisht duke gënjyer. Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë. Ne nuk e disponojmë marrëveshjen, s’na është vënë në dispozicion.Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Reagimi është i vonuar”, tha Bardhi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme