Marvin Çuni prezantohet te Olimpija: Klubi i duhur për mua

I ardhuri i tretë i Olimpija Ljubljanës në merkaton e verës është sulmuesi shqiptar Marvin Çuni! 24-vjeçari do të ndihmojë bardheblutë në sezonin e ardhshëm si lojtar i huazuar nga Rubin Kazan, me opsion zgjatjeje edhe për një vit.
Çuni e filloi karrierën e tij si futbollist në qytetin e tij të lindjes, Freising, dhe në moshën 11 vjeç u transferua në akademinë e famshme të Bayern Munich, ku kaloi gjithsej tetë vjet. Në Gjermani, ai më pas fitoi përvojë në garat e klubeve te SG Sonnenhof Großaspach, SC Paderborn dhe FC Saarbrücken. Kjo u pasua nga një transferim në Itali, ku Çuni fillimisht luajti për Frosinone. Prej andej, ai u ble nga skuadra ruse e Premier League, Rubin Kazan, dhe ndërkohë luajti si lojtar i huazuar për Sampdorian dhe së fundmi për Barin. Ai bëri 33 paraqitje në Serie B, dhe më parë luajti 22 herë në Serie A. Ndalesa e tij e radhës është tani NK Olimpija Ljubljana, ku do të veshë fanellën me numër 17.
“Jam i lumtur që jam këtu, tani që të gjitha dokumentet janë në rregull. Është koha që unë të përqendrohem plotësisht në futboll. Pres me padurim të takoj shokët e ekipit dhe trajnerët. Olimpija është një klub i madh me mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët dhe ambicie të larta. Bisedat me drejtorin sportiv, të cilin e njoh prej kohësh, shkuan shumë mirë, kështu që dua të falënderoj klubin për besimin e tyre. Besoj se Sllovenia është mjedisi i duhur për mua dhe për zhvillimin tim të mëtejshëm. Jam shumë i lumtur për këtë mundësi dhe do të bëj çmos për të ndihmuar klubin të arrijë qëllimet e tij”, deklaroi Çuni.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




