Mbretëria e Bashkuar dhe BE arrijnë marrëveshjen për rivendosjen e marrëdhënieve pas Brexit

Europë | 1 vit më parë

Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian arritën të hënën një marrëveshje historike që parashikon marrëdhënie më të ngushta në fushën e mbrojtjes dhe atë të tregtisë, duke hapur kështu një kapitull të ri pas largimit pesë vite më parë të mbretërisë nga blloku europian.

“Marrëveshja që mbulon një sërë fushash dhe shënon një epokë të re në marrëdhënien tonë. Jemi dakordësuar për një partneritet të ri strategjik të përshtatshëm për kohët ku po jetojmë”, u shpreh kryeministri britanik Kir Starmer në një konferencë të përbashkët për shtyp mbajtur në Londër me presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen dhe atë të Këshillit Europian, Antonio Kosta.

Pakti në fushën e mbrojtjes parashikon bisedime më të shpeshta për sigurinë, ku Britania e madhe do t’i bashkohet misioneve ushtarake të BE-së si dhe mundësinë që Londra të marrë pjesë në fondin prej 150 miliardë eurosh për mbrojtjen që është krijuar nga Brukseli.  

Dy palët gjithashtu u dakordësuan për heqjen e kontrollove ndaj eksporteve britanike që hyjnë në bllokun me 27 vende, ndërkohë që anijet europiane të peshkimit do të kenë akses në ujërat britanike deri në vitin 2038. 

Starmer ndërkohë argumentoi  se vendi i tij do të ketë përfitime reale dhe të prekshme në fushën e sigurisë, migracionit të jashtëligjshëm dhe çmimeve të produkteve energjetike, që do të rezultojnë në uljen e çmimeve dhe tarifave në fatura, krijim të vendeve të punës dhe mbrojtje të kufijve të Britanisë.

“Është një ditë e madhe pasi po kthejmë faqen dhe po hapim një kapitull të ri, çka është tejet e rëndësishme në këto kohë tensionesh gjeopolitike”, theksoi presidentja e von der Leyen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme