Mbrojtja e shpendëve dhe faunës së egër, më shumë masa në mbrojtje të specieve të rrezikuara

Aktualitet | 3 muaj më parë

Shkodra është një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në vend, ku mbrojtja e shpendëve dhe faunës së egër kërkojnë vëmendje të veçantë për ruajtjen e tyre.

“Pelikani kaçurrels, pavarësisht se është me status mbrojtje, është i rrezikuar globalisht si specie për shkak të aktivitetit njerëzor. Po themi gjuetia e paligjshme që është zhvilluar dhe informimi i komunitetit pikërisht se çfarë lejohet dhe nuk lejohet në zonat e mbrojtura. Liqeni i Shkodrës ka shumë habitate që shërbejnë si vendëzim për shumë shpend ujor, madje shpend të rrallë, le të themi. Kërcënimi kryesisht vjen nga mbipeshkimi, peshkimi i paligjshëm, qoftë edhe nga turizmi masiv po themi apo mjetet motorrike me fuqi të lartë që sjellin jo vetëm dëmtim të habitatit ku jetojnë shpendët, por edhe shqetësim për ta”, u shpreh ekspertja e mjedisit, Aurora Piroviq.

Sipas saj mbrojtja e tyre kërkon bashkëpunim institucional dhe ndërgjegjësim të vazhdueshëm.

“Në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna ka disa institucione që ushtrojnë funksionin e tyre menaxhues, administrues, por edhe monitorues. Kemi dhe një task-forcë që përfshin të gjitha këto institucione qoftë në nivel qendror dhe në nivel lokal pikërisht për të rritur masat dhe për të vepruar ndaj çdo paligjshmërie që ndodh në këto ekosisteme të rëndësishme”, tha ajo.

Ruajtja e shpendëve dhe faunës së egër konsiderohet një përgjegjësi e përbashkët për të garantuar trashëgiminë natyrore edhe për brezat e ardhshëm.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme