Mbyllja e postave në veri, SHBA: Të shqetësuar me vendimet e pakoordinuara

Rajon | 2 vite më parë

Mbyllja e nëntë postave në veri të Kosovës ka shkaktuar pakënaqësi jo vetëm në Serbi, por edhe te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka shprehur shqetësimin për vendimet e pakoordinoruara të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, këto vendime rrezikojnë mundësitë e krijuara për Kosovën me ndihmën e SHBA.

“Jemi të shqetësuar me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ato i rrezikojnë mundësitë të cilat e ndihmuam Kosovën që t’i krijojë”, tha Miller.

Ky i fundit këshilloi Kosovën që t’i rikthehet angazhimit konstruktiv me aleatët ndërkombëtar.

 “Do ta inkurajonim qeverinë e Kosovës të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe me partnerët tjerë të afërt ndërkombëtarë të Kosovës dhe e kemi bërë atë të qartë, siç po e bëj tani publikisht, ia kemi bërë të qartë qeverisë edhe privatisht”, tha zëdhënësi i DASH.

Miller ndër të tjera përmendi edhe mbështetjen që Kosova ka pasur nga SHBA në procesin e shtetndërtimit.

“Nëse e shikoni rrëfimin që nga pavarësia e Kosovës, ShBA-ja e ka mbështetur fuqishëm integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multietnike. Por, për ta realizuar këtë vizion, që është vizion të cilin edhe ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderët e vazhdueshëm politikë të Kosovës në masa që forcojnë paqen dhe prosperitetin brenda ndërsa avancojmë Kosovën në këtë rrugë euro-atlantike në të cilën jeni pajtuar”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme