Menaxhimi i integruar i mbetjeve, Kumbaro: Gati korniza ligjore. Përafrim 100% me BE dhe ashpërsim i sanksioneve për ndotësit

Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro ka prezantuar kornizën e re ligjore për trajtimin e integruar të mbetjeve, ku përfshihet një plan masash dhe investimesh. I pranishëm në prezantim ishte edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa Kumbaro sqaroi se në këtë kornizë ligjore janë 2 projektligje, një për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe tjetri për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit.
Sipas Kumbaros, projektligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve do të miratohet javën që vjen në qeveri dhe do ketë disa përparësi: Krijimin e Operatorit Kombëtar për trajtimin e mbetjeve, 100% përafrim me direktivat e BE dhe ashpërsim të sanksioneve ndaj ndotësve.
“Sanksionet do të jenë shumë të ashpra”, tha Kumbaro.
Ndërkohë, projektligji i dytë ngarkon edhe bizneset me përgjegjësi ligjore. Ministrja theksoi se ata do të kenë detyrimin ligjor për të ndjekur dhe gjurmuar çdo mbetje që gjenerohet nga aktiviteti i tyre. Për këtë është parashikuar edhe ngritja e kompanive të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesve nga vetë bizneset.
“Formula është shumë e qartë si do bëhet dhe fillimisht do funksionojë me 4 tipologjitë kryesore të mbetjeve që prodhohen: Ambalazhet, pajisjet elektrike/elektronike, bateritë dhe akumulatorët, mjetet e transportit në fund të jetës”, tha Kumbaro.
Ministrja shtoi se të dy projektligjet do të jenë miratuar brenda dhjetorit. Për ta shtrirë këtë reformë në të gjithë territorin, Kumbaro tha se do të bëhet një ndarje me 10 zona të menaxhimit të integruar të mbetjeve që do jenë: Shkodra, Kukësi, Dibra, Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Korça, Vlora dhe Gjirokastra.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



