Protestat e opozitës dhe lëvizja Salianji / Mentor Kikia në “Mirëmëngjes Shqipëri”: PD-ja nuk ka luksin e përjashtimeve

Aktualitet | 10 muaj më parë

Analisti dhe gazetari Mentor Kikia, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ka komentuar situatën politike në vend, duke u ndalur tek protesta e opozitës para Kryeministrisë, zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike dhe çështja e imunitetit të Zv.Kryeministres Belinda Balluku.

Kikia e cilësoi protestën e djeshme si një manifestim politik që duhej të shënonte një pikë kthese për opozitën, pas javëve të vështira me organizimin e “Foltores”.

Ai theksoi se pjesëmarrja modeste në ato takime kishte krijuar perceptimin se opozita kishte humbur besimin e qytetarëve.

“Protesta e ditës së djeshme ishte një manifestim politik ku do duhej të shënohej një pikë kthese në luftën e opozitës pas disa javëve me organizimin e të ashtuquajturës Foltore, ku në një pjesëmarrje modeste dukej se opozita kishte humbur besimin e qytetarëve. Dhe besoj se me organizimin e djeshëm, si pikën e parë PD-ja ja doli që ta kapërcente këtë ngërç që mos të shndërrohej dhe kjo protestë si një Foltore të mëparshme,” u shpreh Kikia.” u shpreh Kikia.

Duke folur për arritjen e qëllimit të protestës, ai nënvizoi se rëndësi ka pjesëmarrja masive dhe vendosmëria e qytetarëve.

“Sipas meje, përsa i përket arritjes së qëllimit të kësaj proteste duhet parë instituti, pjesëmarrja, numrat, qëndrueshmëria, pse jo dhe agresiviteti, sepse në fund për të detyruar qeverinë që të negociojë janë vetëm pjesëmarrja masive në protestë. Nuk ka rëndësi cilësia e fjalimeve sepse ato mund të mbaheshin nga zyra e selisë apo nga Parlamenti, dhe kryeministri do i thërriste ndërgjegjes dhe do të tërhiqej. Por çështja tani ka shkuar tek rruga dhe këtu bëjnë efekt vetëm numrat dhe vendosmëria,” tha gazetari Kikia.

Në lidhje me zhvillimet e brendshme të opozitës, Kikia komentoi lëvizjen e Ervin Salianjit, duke theksuar se përjashtimi i tij nga forumet drejtuese të PD-së nuk është një lajm i mirë për një subjekt politik që synon të vijë në pushtet.

“Ervin Salianji është përjashtuar nga forumet drejtuese të PD-së edhe pse nuk ka asgjë të deklaruar publikisht, pasi nuk e ka luksin që të përjashtojë dhe i vlen çdo njeri. Në këtë kontekst, ky nuk është një lajm i mirë për një subjekt politik që kërkon të vijë në pushtet me teorinë e përjashtimeve. Ajo që ndodhi u duk sikur Ervin Salianji u përpoq të krijonte një klimë të re brenda PD-së, në kushtet kur Sali Berisha ka bërë të qartë që jo vetëm nuk do të dorëhiqet si kryetar, por do të garojë në zgjedhjet e pranverës së ardhshme. Ndaj kjo lëvizje u pa dhe si përpjekje për të thyer ngurrimin e të tjerëve për të garuar përpara Berishës dhe për të shkundur partinë nga apatia,” u shpreh Kikia.

Ndaj kjo lëvizje u pa si përpjekje për të thyer ngurrimin e të tjerëve për të garuar përpara Berishës dhe për të shkundur partinë nga apatia,” tha Kikia.

Analisti u ndal edhe tek çështja e imunitetit të ministres Belinda Balluku, duke theksuar se socialistët nuk kanë nevojë të presin mbledhjen e Komisionit të Imuniteteve dhe Mandateve, pasi kryeministri Edi Rama ishte i qartë në deklaratën e tij.

 “Socialistët nuk kanë nevojë që të presin mbledhjen e Komisionit të Imuniteteve dhe Mandateve sepse kryeministri Edi Rama ishte shumë i qartë me atë që deklaroi dje, që imuniteti i znj. Balluku nuk do të hiqet.” përfundoi Kikia

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme