Mesazhe frymëzuese në Tetorin Rozë, kryeministri Rama dhe tri kampione sporti apelojnë për mamografi falas

Aktualitet | 1 vit më parë

Në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale mesazhe të fuqishme sensibilizuese nga tri kampione të sportit shqiptar, duke ritheksuar thirrjen për kryerjen e mamografisë falas dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.

Në postimin e tij, Rama përcolli mesazhet e atletes Luiza Gega, kampiones së Europës në atletikë, të peshëngritëses Enkileda Carja dhe boksieres Esmeralda Novruzaj, të cilat i janë bashkuar fushatës për ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave për kontrollin e rregullt të gjirit.

“Dhe në këtë Tetor Rozë, me thirrjen e vazhdueshme për të bërë mamografinë falas, ju uroj një ditë të mbarë“-shkruan Rama.

Luiza Gega, e cila ka frymëzuar me arritjet e saj në pistë, tha se “Tetori Rozë është një kujtesë për të gjitha ne se shëndeti është gara më e rëndësishme që mund të fitojmë”. Ajo shtoi se “jam mësuar që gjithmonë të vrapoj pas qëllimeve, por asnjë fitore nuk ka kuptim pa kujdesin për veten. Kontrolli i gjirit nuk është frikë, është forcë. Është një hap i vogël që mund të shpëtojë jetë. Prandaj bëje pjesë të rutinës tënde, kujdesu për veten, vrapo për jetën”.

Enkileda Carja, kampione europiane në peshëngritje, u shpreh se “në peshëngritje ne mësojmë çdo ditë se si të ngremë më shumë, por ka një peshë që duhet ta ndajmë – atë të përgjegjësisë për shëndetin tonë”. Ajo theksoi se “Tetori Rozë më kujton se forca nuk është fizike, është forcë që përballesh me frikën që të mos anashkalosh shëndetin, të kujdesesh për trupin që të mban në këmbë çdo ditë. Bëje për veten, për ata që të duan, për jetën. Një kontroll i vogël sot mund të shpëtojë nga një peshë e rëndë nesër”.

Ndërsa Esmeralda Novruzaj, fituese e Medaljes së Bronztë në boks, solli një tjetër dimension të forcës femërore, duke thënë se “Tetori është muaji që kujtojmë se forca nuk matet vetëm në ring, por me guximin për t’u përballur me veten”. Ajo shtoi se “si boksiere luftoj çdo ditë që të jem e fortë mendërisht edhe fizikisht, por detyra më e rëndësishme është ajo për shëndetin tonë. Kanceri i gjirit nuk zgjedh moshë, profesion apo stil jete, prandaj kontrolli i rregullt është një raund që secila prej nesh duhet ta fitojë”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka shtrirë fushatën e saj sensibilizuese jo vetëm gjatë tetorit, por përgjatë gjithë vitit, duke ofruar mamografi falas përmes njësive stacionare dhe lëvizëse në qytete të ndryshme të vendit.

Për më shumë lehtësi, çdo grua apo vajzë mund të planifikojë kontrollin përmes portalit “e-Albania”, duke zgjedhur orarin dhe vendin më të përshtatshëm për kryerjen e mamografisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme