Mesazhet e liderëve evropianë për përvjetorin e dytë të sulmeve të 7 tetorit: Thirrje për paqe dhe lirimin e pengjeve

Botë | 1 vit më parë

Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e 732-të, ndërsa sot shënohen dy vjet nga sulmet e 7 tetorit 2023, kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe rrëmbyer 251 të tjerë.

Lufta që pasoi ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima palestineze dhe ka lënë Rripin e Gazës në rrënoja.

Me rastin e përvjetorit, krerët e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian kanë ndarë mesazhe në mediat sociale, duke nderuar kujtimin e viktimave dhe duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve.

“Nuk do ta harrojmë kurrë tmerrin e sulmeve të Hamasit të 7 tetorit dhe dhimbjen që u shkaktuan viktimave të pafajshme, familjeve të tyre dhe të gjithë popullit të Izraelit, dy vjet më parë,” deklaruan Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ne nderojmë kujtimin e tyre dhe punojmë pa u lodhur për paqen,” shtuan ata në mesazhin e përbashkët të publikuar në platformën X.

Zyrtarët e BE-së theksuan se lirimi i menjëhershëm i të gjithë pengjeve dhe një armëpushim janë tani të mundura, duke e cilësuar këtë si një mundësi që nuk duhet humbur.

Ata u bënë thirrje të gjitha palëve të përfshira të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në bisedimet që po zhvillohen në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, në kuadër të planit të propozuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

“Ky moment duhet të shfrytëzohet për të hapur rrugën për paqe të qëndrueshme në rajon, bazuar në zgjidhjen me dy shtete,” përfundon mesazhi i tyre.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metzola, gjithashtu iu referua planit të Trump për “paqen, stabilitetin dhe rindërtimin në Gaza”, duke e cilësuar si një nismë që mban gjallë idenë e zgjidhjes me dy shtete dhe që mund të sjellë lehtësim nga vuajtjet.

“Ky është një moment vendimtar që mund t’i japë fund ciklit të gjakut, terrorit dhe dhunës,” tha Metzola.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme