Meta ankimon në Apelin e GJKKO-së vendimin për “arrestin me burg”

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ish-presidenti Ilir Meta ka ankimuar në Apelin e Gjykatës së Posaçme, vendimin e 5 janarit që e la atë në burg.

Seanca për ankimimin e Metës do të mbahet më 30 janar.

“Ju vëmë në dijeni se datë 30 Janar 2026, ora 10:30, në sallën e gjykimeve të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Tiranë, është caktuar për t’u zhvilluar gjykimi në shkallë të dytë, i kërkesës penale nr.36 regjistri themeltar, që i përket: KËRKUES: Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

I PANDEHUR/ANKUES: Ilir Metaj

OBJEKTI: Pezullim afatesh paraburgimi

BAZA LIGJORE: Neni 265 i K.Pr. Penale.

Kjo gjykatë është vënë në lëvizje mbi apelin e paraqitur nga kërkuesi Ilir Metaj, interesat e të cilit ju mbroni në këtë gjykim.

Kjo çështje me shortin e datës 26.01.2026 i ka kaluar gjyqtares Saida Dollani, e cila ka dhënë vendimin nr. 234 datë 23.10.2025.

Mosparaqitja juaj pa shkaqe te arsyeshme, do të shkaktojë zëvendësimin tuaj me mbrojtës kryesisht, të caktuar nga gjykata e apelit. Ky njoftim te realizohet nga ftuesi gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Më 5 janar Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurimit personal. Meta, i cili ndodhet aktualisht në arrest me burg, kishte kërkuar që kjo masë të zëvendësohej me një masë më të butë sigurimi, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale.

Kërkesa e Metës për lirimin nga qelia është rrëzuar edhe më parë nga të tria shkallët e gjyqësorit.

Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024. Dosja ‘Meta’ përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme