Ministri Hoxha pritet në Madrid nga homologu Albares, në fokus të bisedimeve integrimi evropian i Shqipërisë, turizmi dhe investimet spanjolle

Tirana dhe Madridi zyrtar kanë rikonfirmuar vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, me theks të veçantë në ekonomi, turizëm dhe në procesin e integrimit evropian. Gjatë një vizite zyrtare në Spanjë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me homologun e tij spanjoll, José Manuel Albares Bueno, vizitë që përkon me 40-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Fokus te potenciali i pashfrytëzuar ekonomik
Ndonëse bashkëpunimi politik dhe kulturor është konsoliduar ndër vite, të dy kryediplomatët ndanë qëndrimin se ekziston ende një “potencial i konsiderueshëm i pashfrytëzuar” në marrëdhëniet mes dy shteteve.
Sipas Ministrit Hoxha, qeveria shqiptare është e “përkushtuar të zhvillojë më tej partneritetin strategjik, duke vënë në shënjestër fusha me interes të ndërsjellë si tregtia, turizmi dhe energjia e qëndrueshme”. Një theks i veçantë iu kushtua sektorit të turizmit, ku u diskutua mbi mundësitë reale për rritjen e pranisë së investitorëve spanjollë në industrinë shqiptare të mikpritjes.

Mbështetje teknike dhe politike për rrugëtimin në BE
Një tjetër shtyllë qendrore e bisedimeve ishte rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ministri spanjoll Albares vlerësoi progresin e bërë nga Tirana zyrtare dhe ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Spanjës.
Kryediplomati spanjoll theksoi gatishmërinë e vendit të tij për t’i ofruar institucioneve shqiptare asistencën e nevojshme teknike për përmbushjen e standardeve evropiane. Nga ana e tij, Hoxha shprehu mirënjohjen e thellë për këtë mbështetje të vazhdueshme, duke rikonfirmuar “angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare në zbatimin e reformave”.
Bashkërendim në arenën ndërkombëtare
Përtej agjendës dypalëshe, takimi në Madrid shërbeu edhe për të harmonizuar qëndrimet e dy vendeve në përballimin e krizave globale.
Përmes një reagimi në rrjetin social X pas takimit, kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi rëndësinë e një multilateralizmi efektiv dhe nevojën për koordinim të ngushtë në forumet ndërkombëtare. Qëllimi i përbashkët, theksoi ai, mbetet adresimi i “sfidave globale dhe promovimi i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




