Ministri Hoxha: Demokracia ndërtohet me dialog, jo me dhunë e intimidim

Aktualitet | 4 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke bërë thirrje për dialog e përgjegjësi qytetare.

Përmes një postimi në rrjetin social, Hoxha u shpreh se protesta nuk duhet të shndërrohet në dhunë apo intimidim, ndërsa theksoi se demokracia dhe liritë janë arritur me sakrifica dhe mbrohen përmes dialogut.

Në reagimin e tij, ministri vë në dukje se vizioni për një Shqipëri anëtare të Bashkimit Evropian deri në vitin 2030 mund të realizohet vetëm përmes punës, vizionit dhe përkushtimit.

Reagim i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha:

“Nga flamingot te arkivoli.

Nga mbrojtja e mjedisit te gjyqi publik.

Nga shqetësimi qytetar te papërgjegjshmëria.

Nga protesta paqësore te dhuna.

Nga vizioni për një Shqipëri të Re te rikthimi i një Shqipërie déjà vu – të vjetër, të kapërcyer dhe të papranueshme.

Quo vadis?

Demokracia, liria dhe të drejtat nuk janë të dhëna.

Ato janë fituar me mund, sakrifica dhe përgjegjësi. Janë fryt i dialogut, jo i intimidimit; i urtësisë dhe pjekurisë shoqërore, jo i imponimit.

#Shqipëria2030, ajo që ëndërronim e që duam, anëtare e Bashkimit Evropian, më e zhvilluara ndonjëherë, më demokratike dhe më e arritura në historinë e saj, mund dhe do të ndërtohet vetëm me punë, vizion dhe përkushtim.

Me rininë, me atë që sheh vetëm përpara, për të ndërtuar, sepse kemi ende shumë për të bërë.

Bashkë!”, shkruan ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme