Ministrja Sala apel drejtuesve të spitaleve: Zbatoni protokollet mjekësore dhe garantoni furnizimin e qëndrueshëm me barna

Sociale | 1 vit më parë

Forcimi i cilësisë së shërbimit publik shëndetësor, zbatimi rigoroz i protokolleve mjekësore dhe sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me barna ishin në qendër të takimit që Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi sot me drejtuesit e spitaleve të vendit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se standardet e shërbimit spitalor varen drejtpërdrejt nga zbatimi i protokolleve mjekësore dhe kërkoi angazhim të plotë nga drejtuesit për planifikimin dhe ndjekjen e tyre.

“Pa protokolle në çdo spital, nuk mund të kemi standarde dhe planifikim të saktë të shërbimit. Cilësia e shërbimit, standardizimi dhe kostifikimi i tij bazohen në zbatimin rigoroz të protokolleve mjekësore,” u shpreh Sala, duke kërkuar përgjegjshmëri maksimale në zbatimin e tyre.

Ministrja vuri theksin edhe tek domosdoshmëria e furnizimit të qëndrueshëm me barna dhe materiale mjekësore, duke kërkuar një qasje të bazuar në të dhëna reale dhe nevojat e pacientëve.

“Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me barna dhe materiale mjekësore duhet të bëhet në bashkërendim të plotë midis shërbimeve spitalore, farmacisë dhe strukturave të planifikimit, në mënyrë që çdo vendimmarrje të mbështetet në të dhëna të sakta dhe nevojat reale të pacientëve”, theksoi ajo.

Ministrja Sala vlerësoi përparimin e procesit të autonomisë spitalore, por kërkoi përshpejtimin e digjitalizimit të proceseve administrative në të gjitha institucionet shëndetësore.

“Kërkohet bashkëpunim dhe angazhim maksimal për të marrë masat për përdorimin e Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Spitalor, që siguron digjitalizimin e gjithë dokumentave mjekësore të prodhuara. Vihet re një përdorim shumë i ulët dhe si rrjedhojë nuk është arritur eleminimi i procedurave me letra fizike”, deklaroi ministrja.

Një tjetër prioritet mbetet forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit midis spitaleve, Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe strukturave të Ministrisë, për të reaguar në kohë reale ndaj çdo situate.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme