“Mirëmëngjes Shqipëri”, Progni: Flota e makinave mesatarisht 18-vjeçare, por trendi i rinovimit me mjete moderne është në rritje

Aktualitet | 11 muaj më parë

Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” u trajtua sot problematika e flotës së automjeteve në vend, e cila sipas të dhënave të Institutit të Statistikave mbetet e vjetruar, me një moshë mesatare mbi 15 vite.

Megjithatë, blerja e mjeteve të reja po shënon një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, me një rritje prej 27% të regjistrimeve të reja. Pjesa më e madhe e mjeteve të regjistruara janë me karburant dhe gaz, ndërsa vetëm 3% janë elektrike.

I ftuar në studio ishte Drejtori i Regjistrimit të Mjeteve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Arben Progni, i cili solli një panoramë të detajuar mbi situatën aktuale dhe trendet e reja të regjistrimeve.

Ai theksoi se mosha mesatare e flotës së automjeteve në vend është shumë e lartë.

“Kemi një flotë automjetesh 18-vjeçare. Kjo është një aspekt, por me rëndësi është analiza e trendit të moshës mesatare. Duke marrë në konsideratë analizën e 5 viteve të fundit, është për t’u vlerësuar fakti i importit të mjeteve të reja që po regjistrohen për herë të parë. Mund të them që janë mjete me një moshë 12-vjeçare, gjë që do të thotë se janë mjete me vit prodhimi të 2013 dhe kjo nënkupton që flota, krahasuar me moshën e përgjithshme, po rinovohet.”

Drejtori shtoi se duhet parë edhe numri i mjeteve që dalin nga qarkullimi, duke theksuar se

“Mjetet që dalin nga flota e automjeteve në Shqipëri janë mbi 20-22 vjeçare. Pra, përgjatë vitit 2025 janë çregjistruar rreth 8 mijë automjete me moshë mbi 22 vjeçare.”

Drejtori vuri në dukje edhe rritjen e automjeteve të gjeneratës së fundit, nga 0 deri në 3 vite, me një rritje prej 14% krahasuar me vitin e kaluar.

Ai u ndal edhe tek siguria rrugore, duke theksuar rëndësinë e mirëmbajtjes dhe kontrollit teknik:

“Në Shqipëri po futen automjete të gjeneratës së fundit, nga 0 deri në 3 vite. Gjë që do të thotë se kemi një rritje gjatë këtij viti krahasuar me një vit më parë me rreth 14%.”

Duke u ndalur tek siguria rrugore, ai vuri në dukje se dy faktorë janë kryesorë për rrezikshmërinë: mirëmbajtja e mjetit dhe kryerja në kohë e kontrollit teknik.

“Një mjet i ri por pa kontroll teknik dhe pa mirëmbajtje mund të jetë edhe më i rrezikshëm se sa mjetet e vjetra që u janë bërë shërbimet. Sigurisht mjetet e vjetra kanë vëmendje të shtuar sepse kërkojnë edhe mirëmbajtje më të madhe.”

Në lidhje me kufizimet për importin e automjeteve, Progni sqaroi se aktualisht lejohet vetëm futja e mjeteve që përmbushin normën Euro4 për automjetet e përdorura dhe Euro5 për mjetet e reja

“Aktualisht kemi një kufizim për importin e automjeteve. Përsa i përket automjeteve të përdorura është vendosur norma Euro4, pra lejohet vetëm një mjet që është në këtë standard, ndërsa për mjetet e reja kemi Euro5. Mjetet Euro4 janë përafërsisht automjete të regjistruara në Europë nga janari 2006, ndërsa Euro5 nga viti 2009-10 deri në 2016. Ndërsa më pas vijon me normën Euro6.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme