Dhuna ndaj grave, avokati Duraj: Shqipëria ka ligje të forta, problemet janë shoqërore

Sociale | 11 muaj më parë

Parlamenti italian ka miratuar ligjin që e cilëson zyrtarisht femicidin si krim të dënueshëm me burgim të përjetshëm. Dhomat e Parlamentit votuan unanimisht pro ndryshimit ligjor, në një ditë që përkoi me Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Nisma pason projektligjin e propozuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni në mars, i cili për herë të parë futi në legjislacionin penal të Italisë përkufizimin e femicidit.

I ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, avokati Alban Duraj komentoi situatën në Shqipëri, duke theksuar se legjislacioni ynë është i harmonizuar me standardet e BE-së dhe parashikon dënime të rënda për vrasjet në rrethana familjare.

Sipas tij, neni 79 i Kodit Penal përcakton dënime nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm, ndërsa në rastet e vrasjes me dashje, masa e dënimit shkon drejt dënimit maksimal.

“Për sa i përket legjislacionit tonë edhe në kuadër të përafrimit me legjislacionit me BE-në kemi qenë gjithmonë paralel, për shkak të procesit të integrimit por edhe për shkak të rrethanave që kanë ndodhur në shoqërinë tonë por dhe me kodin e ri penal ka një serë përmirësimesh për sa i përket dhe këtyre rasteve. Aktualisht me parashikimet ligjore të kodit penal, të nenit 79, vrasjet të cilat ndodhin për shkaqe familjare, ligji e ka përcaktuar minimumi nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm. Dhe kur vjen puna tek masa e dënimit gjykata dhe prokuroria i kërkon gjykatës masën e dënimit për autorin e kësaj vepre penale. Në momentin që kemi të bëjmë me një vrasje me dashje, patjetër që vendim marrja e gjykatës është me burgim të përjetshëm. Lidhur me këto vepra gjykimi i shkurtuar nuk mund të zbresë nën 35 vite burg”, u shpreh avokati.

Duraj vlerësoi se problematika nuk lidhet me mungesë të kuadrit ligjor në Shqipëri, por me ndryshimet e shpejta sociale që kanë prekur familjet shqiptare.

Ai theksoi se konfliktet familjare janë rritur, duke ndikuar në rastet e dhunës, ndërsa solli edhe shembuj nga vendet e BE-së ku motivet financiare apo të trashëgimisë nxisin krime brenda familjes.

“Nuk mendoj se ato kanë ardhur për shkak se ato janë gra, por kam një mendim disi ndryshe për faktin sepse kemi dhe raste kur edhe bashkëshortët, por janë të zhvilluara në vendet e BE-së ku një problem i madh është që bashkëshortet vrasin bashkëshortët e tyre për shkaqe të ndryshme sepse ato kanë një polisë sigurimi të jetës dhe kanë përfitime financiare apo për shkaqe trashëgimie. Unë mendoj që në Shqipëri nuk kemi probleme me legjislacionin, problemet vijnë së pari për një sër ndryshimesh që ka pësuar qoftë shoqëria jonë si ndryshime të mentalitetit, të organizimit të jetës dhe këto sjellin konflikte në familje”, theksoi Duraj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme