“Mirëmëngjesi Shqipëri”, ekspertja Bino: Pasiguria në punë dhe polarizimi publik po largojnë gratë nga media
E ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), prezantoi gjetjet kryesore të dy studimeve të realizuara mbi raportimin me ndjeshmëri gjinore dhe pozicionin e grave në redaksitë shqiptare.
Bino theksoi se studimi i parë fokusohet në nevojën e mediave dhe profesionistëve të rinj për të mësuar standardet e raportimit që respektojnë barazinë gjinore dhe dinjitetin njerëzor.
Ndërsa studimi i dytë analizon pozicionin profesional të vajzave dhe grave në redaksi, duke u mbështetur në metoda të kombinuara kërkimore dhe intervista me përfaqësues nga të gjitha segmentet e medias publike, private, kombëtare, lokale dhe online.
“Kemi bërë dy studime paralele, e para ka të bëjë me raportimin me ndjeshmëri gjinore, me nevojat që kanë mediat shqiptare por dhe profesionistët e rinj për të mësuar se si duhet të raportohet duke pasur një respekt të plotë për barazinë gjinore për dinjitetin njerëzor. Në elementin e dytë kemi parë pozicione të vajzave dhe të grave në redaksi, kem i përdorur metoda të ndërthurura por dhe biseda më të plota me përfaqësues të mediave nga i gjithë sektori media publike, private, media më të mëdha, lokale apo media online. Sot mblidhemi në një konferencë kombëtare për ti ndarë këto gjetje dhe këto praktika pozitive por sidomos për të mbledhur nga komuniteti i medieve rekomandime specifike se si duhet të ndryshohet kjo situatë”, u shpreh Bino.
Sipas Binos, problemi kryesor që pengon vajzat dhe gratë në sektorin e medias lidhet me pasigurinë ekonomike dhe sociale. Mungesa e kontratave të rregullta të punës, mosrespektimi i të drejtës për leje sipas Kodit të Punës, pagesat e paplotësuara për orët shtesë, promovimet jo gjithmonë të bazuara në meritë dhe pushimet e parregullta nga puna, janë ndër faktorët që e bëjnë të pasigurt pozitën profesionale të grave dhe vajzave në redaksi.
“Sa i takon pozicionit të grave dhe vajzave në media, problemi kryesor lidhet me pasigurinë ekonomike dhe sociale dhe kushtet e punës dhe kjo nuk është specifike vetëm me vajzat dhe gratë por e shikojmë si një sfidë në tërësi në sektorin e medias por prek në mënyrë të pabarabartë vajzat dhe gratë për shkak të mënyrës se si ne e konceptojmë rolin e tyre në shoqëri në punë dhe në familje. Është mungesa e kontratës së punës, mungesa e marrjes së lejes e plotë siç është e parashikuar në kodin e punës, apo pagesën e orëve shtesë, promovimet në bazë të meritës, pushimet nga puna me procedura jo të rregullt dhe element të tjerë të cilët e kushtëzojnë dhe e bëjnë të pasigurt pozicionin profesional të një vajze apo një gruaje në redaksi”, tha ajo.
Ajo shtoi se është vënë re edhe një tërheqje e tyre nga hapësira publike, sidomos në emisionet e mbrëmjes ku pjesa më e madhe e të ftuarve janë burra. Edhe moderatorët gra, theksoi Bino, shpesh ftojnë më shumë burra. Sipas saj, një ndër arsyet kryesore është cilësia e ulët dhe polarizimi i debatit publik, i cili fokusohet më shumë te konfliktet sesa te argumentet, faktet dhe analizat e bazuara në evidenca.
“Një element tjetër që kemi vënë re është se gratë dhe vajzat po fillojnë të tërhiqen nga hapësira publike. Nëse bëni një kontroll të emisioneve të mbrëmjeve shumica e tyre që ftohen janë burra. Edhe gratë që moderojnë emisione kryesisht ftojnë burra. Një ndër arsyet është cilësia që ka marrë debati publik që është më shumë i polarizuar drejt kundërshtive se sa drejtë realitetit, arsyes, fakteve, analizave të bazuara në evidenca”, theksoi Bino.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




