Mjekët e Mamurrasit protestojnë për hetimin ndaj doktoreshës Anila Lleshi pas vdekjes së 85-vjeçares

Aktualitet | 5 muaj më parë

Mjekët dhe personeli shëndetësor i Qendrës Shëndetësore Mamurras janë mbledhur këtë të hënë ne proteste pranë institucionit ku ushtrojnë detyrën, për të shprehur qëndrimin e tyre lidhur me hetimin e nisur ndaj mjekes Anila Lleshi, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur disa ditë më parë në Fushë Mamurras, ku një 85-vjeçare humbi jetën.

Gjatë deklaratës së tyre, bluzat e bardha u shprehën në mbështetje të koleges së tyre, duke theksuar se ajo ka vepruar në përputhje me ligjin dhe procedurat mjekësore në fuqi gjatë plotësimit të dokumentacionit përkatës.

Në emër të stafit mjekësor foli mjeku Ardian Doçi, i cili kërkoi që rasti të trajtohet me profesionalizëm dhe objektivitet nga organet hetimore, ndërsa theksoi se personeli shëndetësor duhet të ushtrojë detyrën pa u ndjerë i cenuar nga situata që nuk varen prej tyre.

“Është përlyer emri dhe personaliteti i doktoreshës. Kur bëhet fjalë për një rast vdekje, për plotësimin e një skede vdekje, aty shihet historiku i sëmundjes. Në rastin konkret, diagnoza nga  e cila ka vuajtur pacienti dhe trajtimi. Këtu nxjerr edhe shkakun përfundimtar të vdekjes së pacientit. Në deklaratën e familjarit, djali i viktimës, deklaron se nëna ka vdekur për arsye shëndetësore dhe jo nga dhuna. Sot jemi mbledhur në mbështetje të doktoreshës pasi po abuzohet duke thënë që ajo ka bashkëpunuar. Kjo nuk është e vërtetë. Mjekja është treguar profesioniste edhe për t’i dhënë ndihmën e parë”, tha mjeku Ardian Doçi.

Mjekja Anila Lleshi po hetohet në kuadër të procedurave që lidhen me plotësimin e dokumentacionit për vdekjen e një 85-vjeçareje, e cili dyshohet se është vrarë me thike nga vajza e saj me probleme të shëndetit mendor, e arrestuar tashme nga policia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme