Monitorimi dhe menaxhimi i lumit Vjosa, kërcënimet dhe masat për mbrojtjen e parkut

Turizëm | 2 muaj më parë

Parku Kombëtar i lumit Vjosa, një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të vendit, vijon të përballet me një sërë kërcënimesh të evidentuara gjatë monitorimit dhe menaxhimit të territorit.

Mes problematikave më shqetësuese mbetet hedhja e mbetjeve, e cila jo vetëm dëmton peizazhin dhe ndot mjedisin, por përbën një rrezik edhe për ekosistemin e këtij lumi të egër dhe biodiversitetin që ai mbart.

“Kërcënimet janë të shumta dhe sigurisht që nuk janë të të njëjtës rëndësi. Ato variojnë nga ndotja e ujit, e cila mund të vijë si pasojë e shkarkimeve nga më të ndryshmet, siç janë shkarkimet nga bizneset apo shkarkimet urbane. Një kërcënim tjetër është ndotja dhe dëmtimi i brigjeve të lumit. Kjo ndonjëherë vjen edhe për shkak të veprimtarive që ndërmerren për t’u mbrojtur nga përmbytjet”, u shpreh Eduina Guga Drejtoreshe e Zyrës Administrative të Parkut Kombëtar Vjosa.

Përballë këtyre problematikave, strukturat e administrimit të parkut kanë ndërmarrë masa në varësi të natyrës dhe rëndësisë së rasteve të konstatuara theksoj Guga.

“Qasja jonë e parë ka qenë rritja e ndërgjegjësimit. Kjo është masa e parë në të cilën jemi përqendruar. Pra, një formë paralajmërimi, le të themi, ose informimi për banorët. Sigurisht që ka raste më të vështira, të cilat nuk mjaftohen vetëm me ndërgjegjësimin, dhe për këto raste ne kemi ndjekur procedurat, siç i kërkon ligji. Pra, kemi bashkëpunuar me institucione të tjera përgjegjëse, të cilat mund të jenë policia, IKMT-ja, ministria, sipas rastit”, tha ajo.

Ruajtja e Vjosës nuk është vetëm një detyrë institucionale. Është një përgjegjësi që kërkon angazhimin e çdo qytetari, veçanërisht në një territor ku natyra mbetet pasuria më e çmuar.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme