Mori miratimin e Senatit, rihapja e qeverisë amerikane në dorën e Dhomës së Përfaqësuesve

Senati amerikan ka miratuar një projektligj të rëndësishëm për financimin e qeverisë, i cili mund t’i japë fund, brenda pak ditësh, mbylljes më të gjatë qeveritare në historinë e SHBA-ve.
Projektligji u miratua me 60 vota pro dhe 40 kundër mbrëmjen e së hënës (10 nëntor), me pothuajse të gjithë republikanët dhe tetë demokratë që u shkëputën nga partia e tyre për ta mbështetur. Marrëveshja siguron fonde për qeverinë deri në fund të janarit.
Tani është Dhoma e Përfaqësuesve ajo që duhet ta miratojë projektligjin përpara se Presidenti Donald Trump ta nënshkruajë atë. Trump sinjalizoi më herët se do të jetë i gatshëm ta bëjë këtë.
Marrëveshja u arrit gjatë fundjavës, pasi disa demokratë iu bashkuan republikanëve për të negociuar një kompromis që do t’i kthente punonjësit federalë në detyrë dhe do të rifillonte shërbimet thelbësore të qeverisë.
Republikanët – të cilët kanë një shumicë prej 53 me 47 në Senat, kishin nevojë për të paktën 60 vota që masa të miratohej. Senatorët demokratë Dick Durbin, John Fetterman, Catherine Cortez Masto, Maggie Hassan, Tim Kaine, Jackie Rosen dhe Jeanne Shaheen u shkëputën nga pjesa tjetër e partisë së tyre për të votuar pro projektligjit të financimit. Ata u bashkuan edhe me Angus King nga Maine, një i pavarur që bashkëpunon me demokratët, i cili gjithashtu votoi për rihapjen e qeverisë.
Vetëm një republikan, senatori Rand Paul nga Kentucky, votoi kundër së bashku me shumicën e demokratëve.
“Ne do ta rihapim qeverinë, do të sigurohemi që punonjësit federalë të marrin kompensimin që e kanë fituar dhe e meritojnë,” tha senatorja republikane Susan Collins, e cila luajti një rol kyç në hartimin e projektligjit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




