Moti i keq në Sukth të Durrësit-Balla: Forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile masa për evakuimin e banorëve

Aktualitet | 10 muaj më parë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bashkë me ministren e Brendshme, Albana Koçiu dhe me kryetaren e Bashkisë, Durrës, Emirjana Sako kanë parë nga afër situatën e krijuar nga dalja nga shtrati e lumit  Erzen në Sukth.

Sipas Ballës, në terren ndodhen forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile, të cilat po marrin masat për evakuimin e banorëve.

“Vadardhë Sukth-Reshjet e shumta, dalja nga shtrati i lumit Erzen dhe derdhjet nga rezervuarët kanë shkaktuar një situatë tepër të vështirë. Forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile po marrin masat për evakuimin e banorëve”, shkruan Balla.

Ndërkaq, më herët, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu së bashku me prefektin, kryetaren e Bashkisë së Durrësit, si dhe drejtues e përfaqësues të emergjencave civile, Policisë së Shtetit e Forcave të Armatosura ishin në Njësinë Sukth i ri, një zonë e prekur orët e fundit nga përmbytja.

Ajo u ka bërë apel banorëve të prekur, t’u përgjigjen autoriteteve për evakuim.

Koçiu tha se të gjitha ekipet  e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura janë në terren për të evokuar banorët, të cilët janë prekur nga përmbytja. 

“Jemi në Vadardh në Njësinë Administrative Sukth, ku aktualisht ka filluar plani i evakuimit. Të gjitha ekipet  e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura janë në terren për të evokuar banorët, të cilët janë prekur nga përmbytja.  Parashikohen diku tek 500 qytetarë, të cilët do të evakuohen me mjetet e forcave të armatosura.  Situata paraqitet e vështirë. Aktualisht janë të dislokuara 6 mjete të forcave të armatosura, mbi 200 punonjës në terren në zonën e Vadardhës dhe po punojmë që të mos kemi asnjë incident”, u shpreh Koçiu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme