Muçi: Rama e ka shkelur vijën e kuqe për imunitetin e deputetit
Deputeti i “Lëvizjes Bashkë” Redi Muçi deklaroi në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se kryeministri Edi Rama e ka shkelur vijën e kuqe sa i përket qëndrimit mbi imunitetin e deputetit.
Sipas Muçit, me qëndrimin e kryeministrit Rama, përplasja tashmë është shndërruar në institucionale.
Muçi vuri në dukje se qëndrimi në Parlament i mazhorancës ka prodhuar protesta dhe reagimin e ndërkombëtareve.
“Mua më duket se përplasja e vërtetë tashmë është përplasja institucionale. Kemi ardhur në ditën kur kemi një përplasje të hapur mes pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit gjyqësor, është një ditë të cilën Partia Socialiste u përpoq maksimalisht që ta shtynte në kohë, duke futur në lojë edhe Gjykatën Kushtetuese, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ishte një ditë e pritshme që qëkurse u hartua reforma në drejtësi, pritshmëria ishte që të hetoheshin njerëzit e pushtetshëm, ka ardhur në atë mënyrë që kryeministri ta menaxhojë me të gjitha mënyrat. Nga njëra anë kemi parë protestat dhe nga njëra anë reagimin e ndërkombëtarëve”, tha Muçi.
Ai nënvizoi më tej se pavarësisht faktit që në vitin 2021 apo 2022, Rama e konsideronte si vijë të kuqe mbrojtjen pas imunitetit, tashmë sipas tij, këtë vijë ai e ka shkelur me rastin e fundit.
“Për hir të kredibilitetit të reformës së drejtësi është një çështje që vetëm sa ka nisur. Momenti i goditjes së pushtetarëve të lartë është ky.
Në këtë moment ajo që Rama e ka konsideruar si vija e kuqe që nuk do ta shkelte kurrë, tashmë e ka shkelur me të dyja këmbët.
Vija e kuqe cilësohej në vitin 2021, 2022, imuniteti i çdo deputeti që kërkohej të merrej nën hetim nga SPAK-u, ndërkohë që në mbledhjen e ditës së hënë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste kryeministri Rama e ripërkufizoi vijën e kuqe kur tha se nuk e shkel vijën e kuqe, pra tha se nuk hyj në brendinë e dosjes.
Nëse vija e kuqe është për të votuar heqjen e imunitetit ose jo, ky tha që nuk hyj në meritën e çështjes. Sigurisht që nuk hyn sepse nuk je as gjykatës dhe as prokuror, je kryeministri i vendit.
Ajo që ti ke në dorë është kartoni për t’i hequr imunitetin dhe për t’i hapur rrugën sistemit të drejtësisë, ndërkohë që këtë gjë nuk e bëri”, deklaroi më tej deputeti i “Lëvizjes Bashkë”, Redi Muçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




