Mungesë fuqie punëtore dhe pasiguri fiskale, investitorët e huaj vlerësojnë potencialin, por theksojnë se klima e biznesit mbetet e brishtë
Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, në publikimin e saj “Libri i Bardhë 2025–2029”, sjell një vlerësim kritik për klimën e biznesit në vend. Dokumenti vlerëson se klima e biznesit ka rënë në 45 nga 100 pikë, në rënie krahasuar me vitin 2024.
“Ky indeks vjen si rezultat i mungesës së faktorëve cilësorë të prodhimit. Bëhet fjalë për krijueshmëri, inovacion dhe standarde”, tha eksperti Enriko Ceko.
Për ekspertin, informaliteti dhe evazioni fiskal po dëmtojnë konkurrencën.
“Vendos në kushte të pabarabarta ata që respektojnë ligjin, që paguajnë të gjithë detyrimet tatimore”, u shpreh ai.
Një shqetësim tjetër, sipas dokumentit të FIIA-s, mbetet mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, e nxitur nga emigrimi.
“Në periudhën afatshkurtër patjetër që duhet të hedhim sytë te ardhja punëtorëve të huaj. Për periudhën afatgjatë, duhet të fillojmë që sot me politika”, deklaroi eksperti.
Ndryshimet në legjislacionin tatimor, sipas ekspertit, janë një tjetër aspekt që rrit pasigurinë dhe kostot për investitorët e huaj.
“Para 4 apo 5 vitesh, bëhej fjalë edhe për 65 ndryshime ligjore në vit, tani bëhet fjalë më pak dhe kjo është një shenjë qëndrueshmërie. Por nëse unë dua të investoj dhe ligji ndryshon përtej parashikimit tim, atëherë unë e di dhe nuk kam pse investoj”, tha Ceko.
Ceko thekson se forcimi i lekut në vitet e fundit ka pasur ndikim te sipërmarrjet, veçanërisht në fushën e eksporteve. Nga ana tjetër, ai nënvizon se integrimi në Bashkimi Evropian do të jetë një faktor kyç për rritjen e konkurrueshmërisë dhe tërheqjen e investimeve të qëndrueshme në vitet në vijim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




