Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, historiani Xherardo Nikjari konfirmon interesin në rritje për muzeun
Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, gjatë vitit 2025, ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve, si vendas ashtu edhe të huaj. Kjo është konfirmuar nga historiani i këtij muzeu, Xherardo Nikjari, i cili bën të ditur se interesimi për këtë institucion muzeor ka qenë i lartë përgjatë gjithë vitit, veçanërisht gjatë periudhës së festave të fundvitit.
“Viti 2025 ka njohur rritje të vizitorëve në muzeun tonë, si nga turistët e huaj ashtu edhe nga ata vendas. Ky frekuentim ka vazhduar përtej sezonit turistik. Kemi një rritje edhe të vizitorëve që vijnë nga qytete të tjera të Shqipërisë, qoftë gjatë fundjavave apo edhe tani gjatë fundvitit,” u shpreh Nikjari.
Ndërkohë, historiani bëri të ditur se ekspozita e fundit kushtuar figurës së Martin Camajt ka ngjallur interes të madh tek publiku. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 10 janar, duke u dhënë mundësinë qytetarëve dhe turistëve të njihen më nga afër me jetën dhe veprën e tij.
Rritja e numrit të vizitorëve shihet si një tregues i rëndësishëm i interesit në rritje për trashëgiminë historike dhe kulturore, si dhe i rolit që muzeu po luan në promovimin e kujtesës kolektive. Muzeu është i ndarë në dy pjesë, të cilat i ndan një korridor.
Ai është i lyer me të kuqe për të simbolizuar vuajtjet, shpesh të përgjakshme, të atyre që dërgoheshin në dhomën e marrjes në pyetje.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




